Dëshmi të reja për rastin e vdekjes së të burgosurit 21 vjeçar Andreas Rexhepov. Për këtë flet një i burgosur në burgun e Idrizovës, i cili në rrëfimin e tij tregon se çfarë kishte parë në mbrëmjen e së shtunës.
“Erdhën ta marrin Andrean se e priste Komandanti. Pasi doli djali e mbyllen derën e qelisë, e shtynë nëpër shkallë dhe filluan ta godasin. Fillimisht me shuplaka e godisnin deri sa zbritnin shkallëve te poshtë, pse dhe si, nuk e di!”, tha një i burgosur në Burgun e Idrizovës.
Ai thotë se 21 vjeçarin e ndjerë e kishte njohur brenda burgut, duke mohuar se ai kishte qenë i varur nga medikamentet.
“Brenda kemi pirë kafe e çaj me të, djali ushtronte dhe Metadon nuk ka pirë. Nëse del në opinion raporti se Andea ka marrë Metadon ose barna tjera, ajo nuk është aspak e vërtetë”, shtoi ai.
Drejtori i burgut të Idrizovës, Zhivko Pejkovski, nuk përgjigjet deri sa nuk jepet leja për deklarata për media nga Drejtori për Zbatimin e Sanksioneve. Kurse, udhëheqësja e kësaj drejtorie, Lidija Gavrilova, ka blinduar burgjet për mediat dhe organizatat jo-qeveritare.
Avokati i Popullit ka dërguar ekipet në Burgun e Idrizovës për të hetuar rastin e vdekjes së 21 vjeçarit. Ixhet Memeti thotë se në rastet e shkeljes së të drejtave të njeriut, ka elemente të veprës penale nga udhëheqësia e burgut të Idrizovës dhe nga Drejtori për Zbatimin e Sanksioneve.
“Të punësuarit e mi tash ndodhen atje dhe janë duke grumbulluar dokumentacione e prova verbale, pra do të marrin deklarata nga udhëheqësia dhe të burgosurit. Do të grumbullojmë edhe prova materiale, që kanë të bëjnë me dokumentacionin mjekësor dhe dosje të tjera. Pas analizës ne mund të vijmë në përfundim apo të miratojmë vendim të Avokatit të popullit”, u shpreh Ixhet Memeti, Avokati i Popullit.
Në tre muajt e fundit janë shënuar pesë raste të vdekjes së të burgosurve të Idrizovës. Sipas Prokurorisë Publike, të bazuar në ekspertizën mjeko-ligjore, dy të dënuarit që janë ndërruar jetë në janar të këtij viti, kanë pasur vdekje të natyrshme.
“Nuk është konstatuar se dikush e ka goditur me thikë apo me revole, por ka vdekur, duke pësuar sulm në zemër. Sikur të kishte mjek e të bënte një EKG me intervenim të shpejtë a do të ndodhte kjo?!”, shtoi Memeti.
Ixhet Memeti thotë se hetimet e Avokatit të popullit nuk janë mbyllur as për ato raste, ndërsa për rastin e Andreas theksoi se janë në pritje të raportit të zyrtar nga Prokuroria Publike. (TV21)