Kush janë “delet e zeza” që mund t`a tradhtojnë Qeverinë e Isa Mustafës?

24 orët e ardhshme do të jenë kritike për “mbijetesën”, e Qeverisë së drejtuar nga lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Një ditë më herët, Qeveria e Kosovës, shtyu procedimin e marrëveshjes për Demarkacionin në Kuvend, derisa nesër do të mbahet seanca për votëbesimin ndaj Qeverisë, nismë kjo e nisur nga partia opozitare Nisma për Kosovën, e e mbështetur edhe nga dy partitë tjera opozitare, Vetëvendosje dhe AAK. Por, probleme për LDK-në ka shfaqur edhe partneri i koalicionit, PDK-ja, e cila ende nuk dihet se si do të veprojë me mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

Zafir Berisha, deputet nga Nisma për Kosovën
7 deputetët e pozitës kundër Qeverisë Mustafa

Zafir Berisha, deputet nga Nisma për Kosovën e cila inicioi mocionin kundër Qeverisë Mustafa, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se shtyrja e votimit të marrëveshjes për Demarkacionin nga ana e qeverisë është blerje kohe.

“Shtyrja ka të bëj që Isa si ka Votat dhe është dashur të fitoj kohë për t`i bërë presion dhe shantazh deputetëve të vetëdijshëm e kombëtarë që të ndjekin rrugën e tij prej titisti për t`a copëtuar Kosovën”, ka thënë Berisha.

Ndërsa, sa i përket mocionit Berisha ka deklaruar se 7 deputetë të pozitës që kanë votuar kundër Qeverisë së Isa Mustafës, do të votojnë për rrëzimin e saj.

“Nesër kjo qeveri shkon në shpi mocionin do ta votojnë edhe 7 deputetë që nuk e kanë votuar këtë qeveri kur është bërë”, ka thënë Berisha.

Bajram Gecaj, zyrtar i LDK-së
LDK-ja nuk ka siguri më PDK-në

Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk e ka sigurinë nëse Qeveria do t`i mbijetoj mocionit apo jo.

Bajram Gecaj, zyrtarë i kësaj qeverie dhe i LDK-së, ka thënë për “Bota sot”, se deputetët e LDK-së nuk do ta votojnë mocionin.

“Mocioni mund të ketë sukses vetëm nëse votohet nga PDK ose LDK. Asnjë deputet i LDK-se nuk e përkrahë mocionin”, ka thënë Gecaj.

Gecaj nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetës, nëse kanë ndonjë garanci se deputetët e PDK-së nuk do ta votojnë rrëzimin e Qeverisë Mustafa.

Shkodran Hoti, zëdhënës në Lëvizjen Vetëvendosje
Vetëvendosje përkrahë mocionin

Kurse, Shkodran Hoti, zëdhënës në Lëvizjen Vetëvendosje, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që ta votojnë mocionin.

“Ne presim që nesër të kaloj mocioni. Kërkojmë dhe i bëjmë thirrje deputetëve që ta votojë këtë mocion për shkak se konsiderojmë se ky pushtet nuk mund të qëndroj më dhe nuk guxon të qëndroj më dhe nuk guxon të qëndroj më, duke e marr parasysh dëmin që ia ka shkaktuar deri më tani Kosovës por edhe potencialin për t`i shkaktu dëme të reja. Ne kemi parë që ky koalicion ka qenë koalicion i shnatazheve dhe ndërmjet dy partive të cilat kohëve të fundit kanë filluar të kritikojnë njëra tjetrën por edhe në raportin e tyre me listën serbska. Prandaj, ne besojmë se do të votohet ky mocion, presim zgjedhje të reja, presim mundësinë për zgjedhjet të reja. Presim që të krijohet një qeveri e re dhe këtë qeveri të mos kenë mundësi që ta krijojnë dy partitë që tani janë në qeverisje”, ka thënë Hoti.

Ai ka deklaruar se opozita llogaritë në votat e mazhorancës për të siguruar 61 votat që duhen për rrëzimin e Qeverisë.

“Është e logjikshme kjo, ju e dini se opozita i ka 30 vota, d.m.th besohet në votat e mazhorancës për shkak se duhen 61 vota për t`u votuar. Unë nuk mund të them që ata do ta votojnë ose jo. Thjeshtë është një thirrje që po e drejtojmë karshi deputetëve të opozitës apo mazhorancës dhe presim që ata ta votojnë. Disa tashmë kanë dhënë sinjale por presim edhe numrin e saktë”, ka thënë ai.

Ndërsa, sa i përket Demarkacionit, Hoti ka thënë për gazetën “Bota sot”, se kjo çështje po kundërshtohet në masë të madhe si nga pozita ashtu edhe nga opozita.

“Vet fakti që Demarkacioni është temë ende dhe nuk ka arritur të avancoj tutje, nënkupton se ka një masë të gjerë kritike në raport me këtë çështje. Kjo kritikë apo këto kundërshti nuk vinë vetëm nga opozita por edhe nga vet deputetët e mazhorancës dhe nga qytetarët në përgjithësi. Mendoj që në këtë frymë kundërshtuese avancimi i kësaj çështjeje tutje është i pamundur. Prandaj, këtë çfarë po ndodhë kohëve të fundit me demarkacionin e konsideroj si lojë të pastër e cila I shërben partive në pushtet për ta shantazhuar njëra tjetrën”, është shprehur Hoti.

Analisti Leon Duhanaj
Mocioni duhet të dështoj

Në anën tjetër, analisti Leon Duhanaj, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se opozita nuk ka bërë asnjë hap për t`i kryer obligimet e saj kushtetuese.

“Është e dhimbshme, se në ç’gjendje kemi ra. Kemi një politikë totalisht të papërgjegjshme. Kur është fjala tek papërgjegjësia, natyrisht që nuk mund të bëhen përjashtime kolektive. Ka individ të përgjegjshëm por assesi struktura. Kur flasim për detyrimet dhe përgjegjësitë, natyrisht që partitë në qeverisje, kanë përgjegjësinë për mënyrën e qeverisjes në vend. Por edhe opozita si e tillë, ka rolin e vetë të cilin është e obliguar me Kushtetutë ta kryej. Përderisa Qeveria ka bërë punën e vetë për aq sa e ka bërë. Opozita, nuk e ka bërë asnjë hap për t’i kryer obligimet kushtetuese. Opozita, që nga dita e parë, ka patur vetem nje qëllim; luften e pakompromis për ta rëzuar qeverinë”, ka thënë Duhanaj.

Sipas tij, për ta realizuar qëllimin e saj, opozita ka përdorur tema e kauza nga me absurdet.

Duhanaj ka theksuar se mocionin kundër Qeverisë, mund ta votojnë disa nga deputetët e PDK-së dhe nëse ndodhë kjo atëherë sipas tij, kemi të bëjmë me qëndrim zyrtarë të PDK-së.

“Neser është paralajmëruar mocioni kundrejt Qeverisë. Unë personalisht mendoj që një mocion i tillë, do duhet të dështonte, për shumë arsye, edhe për ato të lartëcekura, por edhe për disa parime të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me koalicionin qeverisës. LDK mendoj që do të jetë unike në mbrojtjen e qeverisjes. Përderisa tek PDK , ndoshta mund të ndahet ndonjë dele e zezë. Por që kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për opozitën që ta kaloj mocionin. Nëse mocioni kalon atëherë vetëm me vullnetin e PDK-së si qëndrim partiak. Ndryshe jo”, ka përfunduar Duhanaj./Bota Sot/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu