Gjykata penale, masa të lehta për vepra të rënda (VIDEO)

Gjykata Penale mori vendim: nuk ka paraburgim për ish-zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike Vlladimir Peshevski, për ish ministren e Kulturës Elizabeta Kançevska- Milevska dhe për kryetarin e komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski. Gjykata vendosi për masa më të buta. Ua mori pasaportat, edhe pse Katica Janeva kërkoi paraburgim.

Në rastin “Trajektorja” për autostradat, përveç Peshevskit pa pasaportë ka mbetur edhe i pandehur tjetër. Penalja e refuzoi propozimin e Speciales dhe nuk përcaktoi masa kujdesi ndaj kryetarit të PDSH-së Menduh Thaçi dhe anëtarit në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve nga radhët e kësaj partie, Bedredin Ibrahimi të akuzuar në rastin “Titanik 2”.

Për rastin “Tarifa”, që ka të bëjë me blerjen e softuerit për ELEM-in shtetëror, gjykata ua mori pasaportat tre të pandehurve. Për rastin “Thesari”, që përfshin prokurimin e pajisjeve për përgjime të policisë, është pranuar propozimi i PSP-së dhe një të pandehurit i është konfiskuar pasaporta.

Pesë të pandehur mbeten pa pasaportë edhe në rastin “Toplik”, ku akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin për një milion euro me shitjen e tokës për “Qytetin e diellit” në Vodno. Për prishjen e objektit të biznesmenit Fiat Canoski, pesë të pandehurve u është konfiskuar pasaporta. Gjykata refuzoi kërkesën e paraburgimit për ndihmës ministrin e MPB-së, Gjoko Popovski.

Edhe ai mbetet pa pasaportë, ndërsa akuzohet për shpërdorim gjatë prokurimit të 300 automjeteve të reja për policinë. Gjykata Penale ende nuk është prononcuar për kërkesat për paraburgim për kryesinë e VMRO-DPMNE-së.

Vendime zyrtare nuk ka për:

Nikolla Gruevski- kryetar i VMRO-DPMNE

Sasho Mijallkov, Ish-drejtor i DSK-së

Gordana Jankulovska, ish-Ministre e Brendshme

Mile Janakieski, Ish-ministër i Transportit dhe Lidhjeve

Martin Protugjer, Ish Sekretar i përgjithshëm i Qeverisë

Kiril Bozhinovski, Ish sekretar i përgjithshëm i Qeverisë

Gjykata Penale dje dhe sot nuk pranoi asnjë kërkesë për paraburgim të dorëzuar nga PSP-ja.

Nga 18 kërkesa Gjykata tashmë ka refuzuar tetë dhe i ndryshoi në masa më të buta kujdesi.

Dje nga paraburgimi me aminin e gjykatës shpëtuan zyrtarët e BDI-së, Ismet Guri dhe Ejup Alimi si dhe gazetari Dragan Pavloviq-Llatas. Pa pasaportë ka mbetur edhe kolegia e tij Ivona Talevska. Sot Prokuroria Publike Speciale njoftoi se të hënën do ti ankimojë vendimet për refuzimin e paraburgimeve në Gjykatën e Apelit.

Boki Stojanovski


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu