“Ismail Morina nuk ka kryer asnjë vepër penale për të cilën akuzohet nga qeveria serbe dhe për këtë arsye nuk ka arsye përse të ekstradohet apo dënohet”, ky është reagimi i Darko Butigan, avokatit kroat të Ismail Morinës, i cili në një intervistë për Top Channel sqaron gjithçka.
“Historia e zotit Morina është shumë e komplikuar. Qeveria serbe kërkon që të ekstradohet, pasi do të gjykohet për akte kriminale, apo nxitje kriminale mes kombeve. Një akuzë e cila dënohet nga 1 në 8 vjet burg”.
“Por në këtë rast nuk mund të themi që është kryer vepra penale e nxitjes së urrejtjes. Aktualisht në Serbi jetojnë vetëm 6 mijë shqiptarë që do të thotë 0.8% e popullsisë. Pas ndeshjes nuk ka patur asnjë rast dhune apo rrëmuje mes minoriteti shqiptar dhe mazhorancës serbe. Flamuri që u shfaq në atë ndeshje, mes Serbisë dhe Shqipërisë, tregonte dy baballarët e kombit shqiptar, Ismail Qemali dhe Isa Boletini dhe veç tyre ishte territori që këta dy persona kërkuan që të ruhej në Konferencën e Londrës në vitin 1912”.