A do të bëhen Emiratet Arabe së shpejti prodhuesi më i fortë i armëve dhe pajisjeve ushtarake në Lindjen e Mesme?

Ekspertët thonë se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë zhvilluar pajisje ushtarake dhe armë të teknologjisë së lartë gjatë dy dekadave të fundit. Në fund të javës së kaluar, Emiratet hapën zyrtarisht një kompani të teknologjisë në Abu Dhabi. Kompania tashmë ka një kontratë për prodhimin e raketave të udhëhequra me vlerë 1 miliard dollarë.

Me të ardhura vjetore prej 5 miliardë dollarë dhe 12,000 punëtorë, kompania Edge Holding mbulon industrinë ushtarake në pothuajse çdo sektor: nga prodhimi i anijeve luftarake, sistemet e raketave, e deri në prodhimin e municioneve dhe mbështetje për avionët luftarakë.

Konglomerati Edge Holding do të zhvillojë partneritete me OEM dhe prodhuesit e pajisjeve ushtarake. Kjo kompani njofton se do të kërkojë ekspertë dhe talente nga e gjithë bota për të ndihmuar në një gamë të gjerë të zhvillimit modern të produkteve ushtarake. Kompania gjithashtu planifikon të zhvillojë teknologji që rrisin aftësitë autonome, harduerin e IT, sistemet e përparuara të shtytjes, robotikën dhe teknologjitë inteligjente, me fokus në inteligjencën artificiale në të gjitha produktet dhe shërbimet e saj.

Emiratet duan të rrisin konkurrencën e tyre në fushën e pajisjeve dhe armëve ushtarake dhe të imponohen në këtë treg. Në shkurt të këtij viti, Emiratet themeluan Fondin e Zhvillimit të Teknologjisë së Mbrojtjes dhe Sigurisë, i cili nisi me 680 milion dollarë.

Shtetet e Bashkuara po bëjnë miliarda dollarë në shitje të armëve dhe trajnime për Emiratet dhe ushtritë e tjera të Gjirit, por duke u mohuar kategorikisht armë të teknologjisë së lartë, siç është avioni luftarak F-35 dhe të tjera, pasi ligjet e SHBA mandatojnë vetëm mbështetjen e Izraelit për të arritur epërsi ushtarake në Lindjen e Mesme.

Bashkëpunimi Emirate-Izrael në industrinë ushtarake

Megjithëse Emiratet nuk kanë lidhje të hapura diplomatike me Izraelin, raporte të shumta të mediave flasin për lidhje të fshehta dhe bashkëpunim të gjatë midis dy vendeve.

Gazeta izraelite Yediot Ahronot pretendon se qeveria izraelite është e shqetësuar që kompania me qendër Abu Dhabi po punëson ish-anëtarët e njësisë speciale elektronike “8200” të ushtrisë izraelite.

Në vitin 2017, New York Times publikoi një artikull ku thuhej se Emiratet kishte mbledhur ish-anëtarët e “njësisë 8200” në qendrën e saj kërkimore në Qipro.

Largimet e shumta të ekspertëve elektronikë nga ushtria izraelite dhe përfshirja e tyre jashtë Izraelit janë shqetësuese për ushtrinë izraelite, sipas Yediot Ahronot. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu