A do të ketë koalicion Lëvizja Besa-Aleanca për Shqiptarët? Hoxha: Mund të krijojmë front që do ta bëjë rotacionin politik në Maqedoninë e Veriut

Front politik opozitar për të bërë ndryshimin në skenën politike në Maqedoninë e Veriut, këtë e kërkoi sot në “Click 21” zëvendëskryetari i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha. Duke i komentuar zhvillimet e fundit politike pas zgjedhjeve në Tetovë, Hoxha tha se si parti kanë nevojë për një në Aleancën për Shqiptarët të fuqishme për të bërë ndryshimin bashkërisht.

“Interesi ynë si Lëvizje Besa është që Aleanca për Shqiptarët të jetë subjekt i fuqishëm politik që atë që e kemi thënë edhe para, them edhe tash publikisht, që bashkërisht të mund të krijojmë një front i cili përfundimisht do ta bëjë rotacionin politik në Maqedoninë e Veriut”, tha mes tjerash Hoxha.

Lëvizja Besa para zgjedhjeve në Tetovë i ka ofruar koalicionim Aleancës për Shqiptarët, me qëllim që i njëjti të pasqyrohet edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Ne është e vërtet që kemi ofruar koalicionimin dhe kemi thënë se do të jetë sinjal shumë pozitiv që ky koalicionim të jetë, të paraqitet edhe për zgjedhjet parlamentare sepse kjo do të jetë fryma që do të ngjall shpresën për ndryshim dhe do të nxjerr nga apatia votuesin opozitar që me të vërtet e don ndryshimin por për shkak të disa politikave të gabuara kryesisht te ASH, ka arritur të mbetet në qetësi dhe nuk ka dalë në votime”, tha Hoxha.

Sa i përket dorëheqjes së Ziadin Selës nga posti i kryetarit të ASH-së, Hoxha tha se ky akt moral duhet të respektohet.

“Çdo përgjegjësi politike është për t’u respektuar, normalisht i mbetet ASH-së që të vlerësojë se çka është më së miri për ata. I kanë bërë përllogaritjet e tyre dhe kanë vlerësuar se në këtë formë apo tjetër mund të reflektohet. Është për t’u respektuar akti i dorëheqjes si akt moral”, pohoi mes tjerash Hoxha

Hoxha tha se aktualisht nuk po komunikojnë për bashkëpunim me ASH-në, pasi siç theksoi ai çdo tentim për vendosje të komunikimit mund të shihet si interferim në punën e tyre.

“Ne me z.Taravarin kemi pasur komunikime edhe në periudha të ndryshme kohore kur nuk kemi qenë në të njëjtat vija, qoftë pozitë-opozitë. Kemi raport të mirë shoqërorë, nuk kemi komunikuar këto ditë sepse me të vërtet kur e sheh situatën në të cilën kalon Aleanca mund të keqkuptohet se çdo tentim komunikimi mund të jetë interferim në punën e tyre, edhe një herë e përsëris se për Lëvizjen Besa është interesi që të ketë një ASH të konsoliduar”, tha mes tjerash Hoxha.

Ndryshe, Lëvizja Besa lëshoi Qeverinë pasi KSHZ pranoi ankesën e BDI-së për rivotim në një vendvotim në Zhelinë, ndërsa për shkak të rrezikimit të shumicës parlamentare, Alternativa me 5 dhjetor të vitit të kaluar njoftoi se do t’i bashkëngjitet shumicës parlamentare, duke i bërë Aleancën për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, dy paritë e vetme opozitare në bllokun politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu