A do të merret parasysh rezoluta e Shqipërisë për rrëzimin e Raportit të Dick Marty-t?

Kryeministri shqiptar Edi Rama në një fjalim mbi një orësh përpara Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkoi në mënyrë të drejtpërdrejtë që të rrëzojnë rezolutën e miratuar 11 vjet më parë, mbi bazën e raportit të Dick Marty-t.

“Rrëzoni akuzat kundër Kosovës, pranoni kërkesën e Shqipërisë për një raport vijues ndaj atij të Dick Martyt”, tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë tha se raporti i Dick Marty-t ishte “fake news” më i madh që ka ndodhur.

“Një lajm i rremë mizor arriti të shndërrohet në një raport që u transformua në një rezolutë, në një përpjekje të admirueshme, në fakt, për t’i shërbyer të vërtetës dhe drejtësisë me kaq shumë njerëz të cilët u keqorientuan dhe që, më në fund, i minuan të dyja, të vërtetën dhe drejtësinë. Veprimet tuaja një dekadë më parë kanë shkaktuar në mirëbesim një prej dështimeve më monumentale të politikës ndërkombëtare, një shtrembërim i shëmtuar i të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor, pikërisht duke vepruar për t’i mbështetur ato të dyja”, tha Rama.

Pas paraqitjes së kërkesës zyrtare të Shqipërisë për rishikimin e rezolutës së miratuar për raportin e Dick Marty-t, Asambleja e Këshillit të Europës pritet ta shqyrtojë në sesionin e janarit të vitit të ardhshëm.

A do të merret parasysh rezoluta e Shqipërisë?

Të pyetur se a do të merret parasysh rezoluta e Shqipërisë, nga Këshilli i Evropës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë më 22 korrik se “Asambleja e Këshillit të Evropës mund të vendosë që të përgatisë dhe të debatojë raporte – përfshirë edhe raporte vijuese – për çfarëdo teme që është në mandatin e këtij Këshilli”.

“Procedura për parashtrim të mocioneve parashihet sipas rregullit të 25-të”.

Ky rregull parashikon që një mocion për rekomandim apo rezolutë (që përmban jo më shumë se 300 fjalë) duhet të nënshkruhet nga të paktën 20 përfaqësues apo zëvendësues, që u takojnë të paktën pesë delegacioneve kombëtare, apo duhet të miratohet me kuorumin e nevojshëm nga një nga komisionet e Këshillit.

Pasi një raport të jetë diskutuar brenda një komisioni, ai mund të kalojë në votim në komision, të paraqitet dhe të publikohet si dokument i Asamblesë dhe vetëm atëherë mund të vendoset në rendin e ditës të debatit plenar.

Kujtojmë se më 21 korrik 2022, Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, që kundërshton raportin e ish-anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty.

Në rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë thuhet se pretendimet e ngritura në raportin e Dick Marty-t “për vrasje të personave me qëllim të shitjes së organeve të tyre dhe trafikimit të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte”.

Në rezolutë i bëhet thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të rishikojë rezolutën e vitit 2011, rezolutë e miratuar bazuar në raportin e Dick Marty-t.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu