A do të ndodhë koalicioni i shumëpërfolur tre palësh në mes ASH, Lëvizjes BESA dhe Alternativës

Në mbrëmje skadon afati 48 orësh për koalicionin trepalësh mes partive shqiptare. Sipas të gjitha gjasave një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Arsyeja pse ky koalicion nuk po arrihet është se Alternativa nuk pranon që pjesë e koalicionit të jetë Lëvizja BESA, parti nga e cila Alternativa edhe ka dalë si fraksion politik.

Iniciatore e koalicionit trepalësh ka qenë ASH, partisë së Selës i mbetet të zgjedhë se me cilën parti do të shkojë drejt zgjedhjeve të 12 prillit, shkruan Gazeta Express.

Nga ASH-ja kanë njoftuar se pas skadimit të këtij afati, do të mbajnë mbledhje të kryesisë qendrore për të shqyrtuar përgjigjet eventuale të Alternativës dhe Besës. Mbledhja pritet të mbahet nesër.

Lëvizja BESA, ka kërkuar nga Aleanca për Shqiptarët që të deklarohet në lidhje me epilogun e iniciativës për koalicionim trepalësh dhe në vend të ofertës dhe ultimatumit ata kërkuan takim trepalësh për të negociuar.

Nga Alternativa, thonë se kjo parti “vepron sipas asaj që ajo gjykon se është më e drejtë dhe me më shumë interes për shqiptarët në Maqedoni. Natyrisht,” siç thonë ata, “Alternativa nuk mendon se koalicionet janë temë e aritmetikës, por ato janë lëndë e mirëbesimit, parimeve dhe programeve politike”.

Për njohësin e rrethanave politike në Maqedoninë e Veriut, Bujar Plloshtani tentativa për të lidhur koalicion trepalësh është pothuaj e pamundur, për faktin se partive të ashtuquajtura opozitare u mungon komunikimi i pjekur politik për ta përafruar qëndrimet e tyre dhe të tejkalojnë vetveten që një koalicion të tillë të bëhet realitet.

“Partitë politike në Maqedoninë Veriore tashmë ka kohë që kanë nisur diskutimet për koalicione të mundshme për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të parapara më 12 prill. Ndërkaq, partitë me të vogla, po përpiqen të krijojnë koalicione për të qenë pjesë e qeverisë së ardhshme, me idenë se koha është për ndryshim. Mirëpo, gjermë tash tentimi për të lidhur koalicion trepalësh është pothuaj i pamundur, për faktin se partive të ashtuquajtura opozitare u mungon komunikimi i pjekur politik për ta përafruar një koalicion të tillë. Pengimin e koalicionit trepalësh në thelb e pengon pushteti me mekanizmat e veta, ndërsa partitë opozitare ende nuk janë në gjendje të shohin përtej realitetit politik, pasi nuk kanë pjekurinë politike për të lidhur koalicion trepalësh, që për mendimin tim duket se është paksa i vështirë, duke pasur parasysh edhe vetë natyrën e koalicioneve tashmë edhe të polarizuara mjaft. Opozita shqiptare aq më pak duhet të bëhet pengesë e koalicionit trepalësh, pasi kanë një udhë: të krijojnë front të gjerë kundër pushtetit!”, ka thënë për Express, Plloshtani.

Si duket këtë koalicion nuk e kanë dashur asnjëra pale, mendon analisti Faton Aliti, i cili thotë se mos arritja e një koalicioni të tillë do ta demotivojë frymën opozitare dhe ndjeshëm do ta favorizojë, tek votues BDI-në, pasi mesazhi që merr ai nga kjo është vetëm demonstrim i nivelit jo të përshtatshëm politik.

“Kam përshtypjen se koalicionin trepalësh nuk e dëshiron asnjëra nga tre partitë opozitare të përfolura. Besa u deklarua dhe bile patën vendim pro nga organet më të larta partiake, por mendoj se kjo ishte rezultat i asaj se nuk donin që të përfliten si shkaktar të mosarritjes së koalicionit ashtu si tani po drejtohet gishti nga Alternativa dhe Aleanca. Ata preferonin koalicion vetëm me Aleancën mendoj, sepse deklaratat e tyre të para ishin goxha të ashpra në drejtim të Alternativës. Alternativa që në fillim u deklaruan kundër çdo bashkëpunimi me Besën. Aleanca mendoj se vetëm donte të linte përshtypjen se janë pro koalicionit të tillë, derisa dëshira e tyre ka qenë koalicion vetëm me Alternativën. Këtë e vërteton edhe oferta e bërë së fundmi nga ana e tyre, të cilën patëm rastin ta lexojmë në mediume, dhe e cila mendoj se është e hartuar në mënyrë që të jetë e papranueshme për Besën. Sidoqoftë, e gjitha kjo, e demotivon frymën opozitare, dhe ndjeshëm e favorizon BDI-në. Sepse, porosia që merr votuesi nga këto ndodhi, është vetëm egoizëm dhe demonstrim i nivelit jo të përshtatshëm politik. Është po i njejti gabim si në zgjedhjet lokale kur asesi nuk ia arritën të merren vesh Besa dhe Aleanca asokohe, por pasi u rrezikuan kryetarët e tyre pas rrethit të parë, u ulën dhe u dakorduan për bashkëpunimin në rethin e dytë. Pastaj u dëshmua se ishte reagim i vonshëm. Votuesi ndoshta nuk do dijë në hollësi ta shpjegojë pse nuk ngjall entuziazëm aktiviteti opozitar politik, por me siguri e ndjenë se diçka nuk shkon. Tek e fundit, ashtu ndodhi në 2017-tën”, ka thënë për Express, Aliti.

Ndërkohë, BDI ka deklaruar tashmë se nuk do të futet në koalicion parazgjedhor me asnjë parti, poashtu edhe nga PDSH-ja thonë se edhe ata do te dalin të vetme në këto zgjedhje./GazetaExpress


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu