A e tërhoqi Serbia letrën e Brnabiqit, Vuçiq: Nuk e kam idenë për çfarë letre bëhet fjalë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë adresimit të sotëm është pyetur edhe nëse Serbia e ka tërhequr një letër të nisur në Bruksel nga ish-kryeministrja, Ana Brnabiq, në të cilën e ka shprehur dilemën e Beogradit rreth zbatimit të marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.

I dërguari evropian për dialogun mes dy vendeve, Miroslav Lajçak, ka thënë ditë më parë se Serbia e ka tërhequr atë letër.

Vuçiq, as nuk e ka pohuar, dhe as mohuar një gjë të tillë.

Nuk e kam idenë për çfarë letre bëhet fjalë. Për marrëveshjen e Ohrit nuk kemi problem, vetëm dy gjëra: Kombet e Bashkuara dhe organizatat nën OKB”, tha Vuçiq.

Palët patën arritur pajtueshmëri për normalizim marrëdhëniesh në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, një muaj më vonë.

Megjithatë, palët nuk kanë bërë hapa drejt zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Marrëveshja e Ohrit, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu