A mund 21 deputetë shqiptarë në opozitë, e 9 në Qeveri? Kasami: Kur do të hapet dera, dikush do të dalë, dikush do të hyjë

Shqiptarët në Maqedoni të Veriut po konsolidohen në dy forca politike, VLEN dhe BDI, tha një nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, në ClickPlus. Sipas tij, çdokush që largohet nga VLEN, largohet me pretendimin për t’iu bashkëngjitur BDI-së dhe çdokush që largohet nga BDI, do të jetë pjesë e përfaqësimit të shqiptarëve në Qeveri. Duke folur për ASH-në e Arben Taravarit e cila nuk është më në VLEN, por vazhdon të jetë në Qeveri, Kasami ripërsiriti se nuk mundet edhe me BDI-në edhe në Qeveri! Fazën aktuale e quan fazë riorganizimi dhe thekson se për përfaqësimin e shqiptarëve në Qeveri vendos VLEN-i.

Fatmir Aliu, TV21: D.m.th. nuk vendos Mickoski por vendos VLEN-i?! A është kështu?
Bilall Kasami: Po kështu është. Është marrëveshje.
Fatmir Aliu, TV21: D.m.th. nuk mundet kryeministri Mickoski të vendosë nëse e mban Arben Taravarin? Pyetje pa spec, shumë direkte…
Bilall Kasami: Unë mendoj se isha shumë i qartë…
Fatmir Aliu, TV21: A mund të vendos?!
Bilall Kasami: Për përfaqësimin e shqiptarëve në Qeveri vendos VLEN-i.
Fatmir Aliu, TV21: Nuk vendos Hristijan Mickoski?
Bilall Kasami: Po tani unë….
Fatmir Aliu, TV21: …epo tani, pyetja është shumë interesant e parashtruar dhe kërkon përgjigje të drejtë. OK vendos VLEN-i, por nuk vendos Mickoski.
Bilall Kasami: Dhe unë po jap një përgjigje të drejtë. Kemi një marrëveshje mes VMRO-së dhe VLEN-it. VMRO-ja si përfaqësuese e shumicës maqedonase, VLEN-i si përfaqësuese e shumicës shqiptare.

Po si ndryshojnë numrat e deputetëve të dy blloqeve shqiptare shumicë dhe opozitë, nëse llogariten sipas metodës “o me VLEN-in, o me BDI-në”? Nëse nuk llogariten 5 deputetët e ASH-së së Taravarit, grupi parlamentar i VLEN-it mbetet me 9 deputetë. Nga ana tjetër Fronti Europian aktualisht ka 17 deputetë, por pa 3 deputetët e komuniteteve tjera, i bie se ka 14 deputetë shqiptarë. Nëse ASH-ja e Taravarit del në opozitë, do të nënkuptonte se 19 deputetë shqiptarë do të ishin opozitë. Po nëse këtu llogariten edhe Menduh Thaçi i PDSH-së që ende vepron si opozitar, por edhe Fatmir Bytyqi i LSDM-së, del se gjithsej 21 deputetë shqiptarë janë në opozitë e 9 në mazhorancë.
Duke folur mbi këto matematika, Kasami me përgjigje:

Fatmir Aliu, TV21: Aktualisht janë 9.
Bilall Kasami: Aktualisht janë 14.
Fatmir Aliu, TV21: Jo aktualisht në VLEN janë 9.
Bilall Kasami: Aktualisht në Qeveri deputetë shqiptarë janë 14.
Fatmir Aliu, TV21: Po. E tash e i keni ndërruar fjalët apo kjo i bie se ASH rri në Qeveri edhe pa VLEN?
Bilall Kasami: Jo, po flas aktualisht.
Fatmir Aliu, TV21: Edhe unë aktualisht po flas…
Bilall Kasami: Në momentin që do të ketë lëvizje nga pozicionet në Qeveri, sigurisht që kur do të hapet dera, dikush do të dalë, dikush do të hyjë.

Duke folur mbi këtë temë, Kasami po ashtu u shpreh se për ta nuk janë me rëndësi numrat, por mandati që kanë marrë nga 107 mijë votues për të përfaqësuar shqiptarët.
Siguroi se VLEN s’ka e s’do ketë bashkëpunim me #BDI dhe ekstremitetet e saj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu