Rama në New York: Joe Biden e tradhtoi Hashim Thaçin, Amerika nuk bëri më të mirën

Kryeministri Edi Rama, mbajti një fjalim në New York gjatë mbrëmjes gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane. Në adresimin e tij, Rama u ndal te marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Amerikës, duke vlerësuar rolin e komunitetit shqiptar në SHBA dhe kontributin e tij në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.

Por një pikë e fortë, është kur Rama deklaroi se ish-presidenti i Amerikës, Joe Biden e tradhtoi Hashim Thaçin, pas dënimit të tij në Hagë me 25 vite burg dhe se Amerika nuk bëri më të mirën ndaj ish-krerëve që Haga i dënoi. ”Po vuaj mungesën e dikujt që ka qenë gjithmonë i ftuar këtu, Hashim Thaçit. Ai nuk është me ne sot këtu sepse ky vend e tradhtoi. Sepse Joe Biden, që e quajti George Washington-in e Kosovës, e tradhtoi. Sepse edhe pse Gjenerali Clark bëri më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën. Jam i sigurt që ky vend mund të kishte bërë më shumë. Së pari duke mos lejuar që kjo farsë të niste”, tha Rama.

Kryeministri theksoi rëndësinë e partneritetit shqiptaro-amerikan, si dhe të bashkëpunimit të vazhdueshëm në fusha me interes të përbashkët. Rama tha se Shqipëria ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit, duke veçuar zhvillimin ekonomik, forcimin e institucioneve dhe luftën kundër korrupsionit. “Sa shumë ka ndryshuar Shqipëria gjatë këtyre viteve. Askush nuk ta fal suksesin”, u shpreh Rama, duke përmendur rritjen e aeroportit dhe zhvillimin e vendit.

Për korrupsionin, ai tha: “Dikur në Shqipëri, korrupsioni ishte gjithkund dhe lufta askund. Sot shohim diçka ndryshe”, duke shtuar se institucionet e pavarura po forcohen. Rama foli edhe për mbrojtjen e mjedisit: “Sot vendi proteston për biodiversitetin”, ndërsa theksoi rritjen e zonave të mbrojtura dhe rikuperimin e pyjeve. “Tashmë kemi një Shqipëri të re. Njerëzit duan më shumë. Shqipëria ku njerëzit jetonin me idenë se mund të jetë më keq nuk ekziston më”, përfundoi ai. Mbrëmja gala mblodhi përfaqësues të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, figura të jetës publike dhe të ftuar të tjerë, në një aktivitet kushtuar marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu