Izraeli nis ofensivë ushtarake në Gazën qendrore, pavarësisht armëpushimit

Ushtria izraelite njoftoi sot se ka nisur ofensivë ushtarake në tre blloqe të Rripit qendror të Gazës dhe ka mbyllur pjesë të rrugës Salah al-Din, pavarësisht armëpushimit që është në fuqi që nga tetori i vitit 2025, transmeton Anadolu.

Shkeljet izraelite, që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 10 tetor 2025, kanë shkaktuar vdekjen e 1.650 palestinezëve dhe plagosjen e 5.975 të tjerëve, sipas shifrave të publikuara të hënën nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

Koordinatori i Aktiviteteve Qeveritare në Territore (COGAT) i ushtrisë izraelite deklaroi në një postim në Facebook se “ushtria ka filluar një operacion ushtarak në Rripin qendror të Gazës, pranë ‘vijës së verdhë’, konkretisht në zonat e shënuara me numrat 660, 661 dhe 666”.

Ata pretenduan se operacioni kishte për qëllim atë që e përshkruan si “infrastrukturë terroriste”. “Gjatë operacionit, rruga Salah al-Din do të jetë e mbyllur në blloqet e përmendura më lart”, njoftoi COGAT.

Ata u bënë thirrje palestinezëve të qëndrojnë larg zonës “derisa zëdhënësi i ushtrisë izraelite të japë një njoftim zyrtar për përfundimin e operacionit”. Zyra nuk dha detaje të mëtejshme mbi natyrën apo kohëzgjatjen e pritshme të operacionit.

Armëpushimi në Gaza hyri në fuqi si pjesë e fazës së parë të planit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili synon t’i japë fund gjenocidit izraelit në këtë enklavë. Në kuadër të fazës së parë, ushtria izraelite u tërhoq në atë që njihet si “vija e verdhë” brenda Gazës.

Izraeli vazhdon të mbajë të pushtuar rreth 70 për qind të Rripit të Gazës ndërsa shumica e palestinezëve janë përqendruar në zona jashtë territorit të kontrolluar nga Izraeli.

Që nga tetori i vitit 2023, gjenocidi i Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 74 mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 176 mijë të tjerë, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë. Lufta ka dëmtuar ose shkatërruar rreth 90 për qind të infrastrukturës së Gazës ndërsa OKB-ja i ka vlerësuar kostot e rindërtimit në rreth 71,4 miliardë dollarë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu