A mundet që me ndihmën nga Teherani, Moska të sfidojë Bayraktar-in turk apo HIMARS-in amerikan?

Dronët luftarakë iranianë që mbërritën në Rusi këtë muaj mund të ofrojnë mbështetje të konsiderueshme për forcat ruse në Ukrainë, veçanërisht në luftën kundër armëve të avancuara që Kievi mori nga Perëndimi, siç janë sistemet amerikane HIMARS.

Megjithatë, duke pasur parasysh problemet teknike të vërejtura në testet e para në Rusi, mbetet pyetja se sa do ta ndryshojnë situatën në frontin ukrainas dronët luftarakë iranianë.

Më 30 gusht, zyrtarët amerikanë thanë se Irani kishte dorëzuar kontigjentin e parë të dronëve të tij luftarak në Rusi, thekson Wall Street Journal.

Zyrtarët e administratës së Joe Biden thanë se avionët rusë të mallrave kanë transportuar të paktën dy lloje dronësh iranianë në Rusi që SHBA pret që forcat ruse në Ukrainë t’i përdorin për sulme raketore, vëzhgim dhe luftë elektronike.

SHBA pret që Teherani t’i dorëzojë Rusisë qindra dronë, ndërsa Moska përpiqet të përballojë fluksin e mbështetjes ushtarake që Uashingtoni dhe aleatët e tij po i japin Kievit.

Dorëzimi i dronëve iranianë

Dorëzimi i dronëve iranianë në Rusi nxjerr në pah pozicionin e Iranit si një nga furnizuesit e rëndësishëm në botë të dronëve, por gjithashtu, siç vlerëson gazeta amerikane, se sa të rëndësishme janë mjetet ajrore pa pilot në fushën e betejës në Ukrainë. Dronët e prodhimit turk janë dëshmuar thelbësorë në mbrojtjen e Ukrainës.

Irani e ka furnizuar Rusinë me dy lloje dronësh, thonë zyrtarët amerikanë. Bëhet fjalë për avionin Mohajer-6, i cili mund të mbajë katër raketa të drejtuara me saktësi dhe dy modele të dronëve Shahed, të cilët mund të mbajnë edhe raketa, por edhe të qëndrojnë në ajër për një kohë të gjatë.

Dorëzimi i dronëve iranianë nënvizon thellimin e lidhjeve midis Moskës dhe Teheranit, por në të njëjtën kohë nxjerr në pah problemet e Rusisë në furnizimin e ushtrisë së saj, vlerëson Washington Post dhe thekson se armët mund të ofrojnë mbështetje të rëndësishme për përpjekjet e Rusisë për luftë në Ukrainë.

Megjithatë, dorëzimi i dronëve është dëmtuar nga probleme teknike, thanë zyrtarët e sigurisë amerikane dhe aleate, duke vënë në dukje se dronët iranianë pësuan keqfunksionime të shumta në testet e para të kryera nga rusët.

“Rusët nuk janë të lumtur”, tha zyrtari, i cili foli me kusht që të mos përmendet emri dhe që kombësia e tij të mos zbulohet për shkak të inteligjencës së ndjeshme.

Ardhja e dronëve iranianë mund të ndihmojë në mbushjen e vrimave në fushatën ruse në Ukrainë, vlerëson gazeta.

Kufizimi i ndikimit të HIMARS-it

Rusia ka 1,500 deri në 2,000 dronë vëzhgimi, por relativisht pak dronë sulmues që mund të angazhojnë me saktësi objektivat thellë brenda territorit të armikut. Në të kundërt, Ukraina shënjestroi automjete të blinduara ruse, kamionë dhe artileri me dronë të prodhimit turk.

Teherani po furnizon Rusinë me dronët e tij më të fundit Shahed-129, Shahed-191 dhe Mohajer-6. Megjithatë, analistët vënë në dukje se ndërsa dronët iranianë janë përdorur në konfliktet në Lindjen e Mesme, ka pyetje se sa mirë janë testuar kundër bllokimit elektronik të avancuar dhe sistemeve anti-ajrore si ato të përdorura në Ukrainë.

Lufta në Ukrainë, thekson Washington Post për vlerësimet e ekspertëve, zbuloi dështimin e Rusisë për të zhvilluar drone luftarake të llojit që SHBA ka përdorur për më shumë se dy dekada.

Edhe pse Moska po kërkon të përshpejtojë prodhimin vendas të armëve të tilla, ajo tani është e penguar nga sanksionet perëndimore që kanë ndaluar importet e saj të çipave të nevojshëm për të ndërtuar dronët.

Ardhja e dronëve iranianë, të cilët mund të përdoren gjithashtu për vëzhgim, mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në fushën e betejës në Ukrainë, vlerëson CNN.

Rusia, sipas televizionit amerikan, po përpiqet të kufizojë ndikimin e raketave të avancuara HIMARS që SHBA dhe aleatët e saj kanë dërguar në Ukrainë.

HIMARS, me një rreze veprimi prej rreth 80 kilometrash, i mundësojnë Ukrainës të sulmojë objektivat pas vijave të frontit rus.

Megjithatë, CNN thekson, pasi zyrtarët e inteligjencës amerikane besojnë se shumë prej dronëve që Rusia bleu nga Irani tashmë kanë përjetuar keqfunksionime të shumta, nuk është e qartë se sa mund ta ndryshojnë situatën në terren.

Irani dërgoi dronët e parë në Rusi këtë muaj si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë që do të dërgonte qindra mjete ajrore pa pilot, thanë një këshilltar i qeverisë iraniane dhe dy zyrtarë të administratës amerikane në kushte anonimiteti. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu