A po bie dhe miti i Suedisë? Shifrat më të fundit dhe një rezyme nga Rama

Në 24 orët e fundit, 130 njerëz kanë vdekur në Suedi, një rënie e lehtë nga 170 viktimat e një dite më parë, gjithsesi një rekord i zi në këtë vend, i cili po tenton të bëjë diferencën më të tjerët në një përpjekje për ta sfiduar pandeminë me një normalitet jetësor.

Në Suedi, deri tani ka patur 1.333 vdekje me 12.540 të infektuar dhe 19. 381 të kuruar.

“Ne jemi afër nivelit në të cilin do të fillojmë të shohim efektet e imunitetit kolektiv në rajonin e Stokholmit dhe pjesëve të tjera të Suedisë, ku infeksioni është më i përhapur,” tha epidemiologu suedez Anders Tegnell.

Ai shtoi se situata ishte shqetësuese në disa rajone dhe se një vaksinë ishte e nevojshme.

Nga ana tjetër, një panoramë të asaj se ç’po ndodhte në Suedi, ofroi dhe kryeministri Rama.

“Rasti i Suedisë ka ngjallur shumë interes, kuriozitet, debat dhe thashë ta ndaj me ju këtë informacion të shkurtër:

… Suedia ka kaluar shifrën e errët prej 1200 vdekjeve nga koronavirusi, duke tejkaluar numrat në vendet fqinje me të, ndërkohë që shkenctarët vazhdojnë të vënë në pikëpyetje qasjen me dorë të lehtë të qeverisë.

Agjencia e Shëndetit Publik publikoi shifrën prej 1203 viktimave nga Covid-19 të mërkurën, një raport prej 118 për milion banorë, krahasuar me 55 në Danimarkë dhe vetëm 13 në Finlandë, të dyja shtete fqinje që kanë vendosur rregulla të ashpra karantinimi për të ulur shpërndarjen e virusit.

Raporti i numrit të viktimave për milion banorë në Suedi është gjithashtu shumë më i lartë se sa raporti prej 42 për milion banorë i regjistruar në Gjermani, por mbetet më i ulët se ai i Britanisë me 182 (deri të martën) dhe shumë më i ulët se i Italisë me 349 dhe i Spanjës me 399.

Në një letër të publikuar javën e kaluar në gazetën Aftonbladet, mbi 900 mësues dhe anëtarë të stafit edukativ thonin se ishte e pamundur për mjediset arsimore të shkollave dhe kopshteve të monitoronin respektimin e rekomandimeve për distancimin fizik, duke shtuar që “në shumë raste” fëmijët me familjarë të infektuar i janë bindur udhëzimit që të paraqiten në shkollë, që do të thotë “se nuk jemi në gjendje të mbrojmë fëmijët dhe arsimtarët në grupe të rrezikuara”.

Strategjia është kritikuar ashpër edhe nga shkencëtarët vendas. Një grup prej 22 doktorësh, virologësh dhe studiuesish kritikuan të martën Agjensinë e Shëndetit Publik në një editorial të botuar nga gazeta Dagens Nyheter.

“Qasja duhet të ndryshohet sa më shpejt dhe në mënyrë radikale,” shkruanin shkencëtarët. “Ndërsa virusi përhapet është e nevojshme të rritet distancimi social. Mbyllni shkollat dhe restorantet. Të gjithë ata që punojnë me të moshuar duhet të mbajnë veshje mbrojtëse. Karantinohuni si familje nëse një anëtar është i sëmurë apo rezulton pozitiv sipas testit. Përfaqësuesit e zgjedhur duhet të ndërhyjnë, nuk ka zgjidhje tjetër.”, shkroi shefi i qeverisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu