A të ka kërkuar Erdogan heqjen e Kreut të Komunitetit Mysliman në Shqipëri? Përgjigjet Rama

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se qeveria e Shqipërisë nuk vendos për komunitetet teksa u pyet nëse presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan i ka kërkuar të heqë Kreun e Komunitetit Mysliman.

Në një intervistë për emisionin “Now” në Euronews Albania, Rama theksoi se Komuniteti Mysliman Shqiptar është i bazuar në vetë organizim.

“Komuniteti Mysliman Shqiptar është i bazuar në vetë organizim dhe në vetëqeverisje. Qeverisja e Shqipërisë nuk vendos për komunitete”– tha Rama.

Numri një i qeverisë, po ashtu tha se nuk e ka në dorë qeveria hapjen e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë.

“Inagurimi i xhamisë së madhe është një çështje që nuk vendos qeveria e Shqipërisë dhe nuk e ka peng askush sepse Xhamia e Madhe po ndërtohet me kontributet e Komitetit Mysliman turk dhe janë ata që po e ndërtojnë në një marrëveshje me komunitetin Mysliman shqiptarë dhe i vendosin ata se kur i mbarojnë punimet dhe kur duhen hapur dyert, nuk e vendos qeveria e Shqipërisë”, theksoi kreu i qeverisë.

Rama ka folur edhe për raportet me presidentin e Turqisë.

Ai ka thënë se Erdogan nuk ka ndikuar në vendimin e qeverisë për mbylljen e kolegjit dhe kopshtit turk, teksa shtoi se presidenti turk nuk mund të japë urdhra në një vend sovran.

Rama u shpreh se Erdogan ka bërë një kërkesë dhe në rastet konkrete, është vepruar sipas ligjeve në vend.

Këtu në Shqipëri ka shumë institucione që i përkasin të gjithë këtij zinxhiri. Presidenti Erdogan nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe nuk jep asnjë urdhër. Nuk e jep dot në një vend sovran. Nuk është urdhër, por një kërkesë, historike. Nga ana tjetër, ka qenë një kërkesë që është bërë gjithmonë dhe ne ndërkohë, kemi vepruar sipas ligjeve të Republikës së Shqipërisë. Nuk kemi vepruar sipas opinioneve apo spekulimeve që bëhen këtu, por sipas ligjeve të Republikës së Shqipërisë”, theksoi ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu