Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka bërë të ditur se në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski Penko” në Butel nuk është mbyllur asnjë paralele në gjuhën shqipe.
Në një konferencë për media, Sulejmani sqaroi se vitin e kaluar në klasën e parë në gjuhën shqipe kanë funksionuar katër paralele dhe po aq janë formuar edhe këtë vit.
“Pretendimi se këtë vit është mbyllur një paralele në gjuhën shqipe nuk përputhet me dokumentacionin zyrtar. Vitin e kaluar kanë funksionuar katër paralele dhe po aq funksionojnë edhe këtë vit”, deklaroi Sulejmani.
Ai njoftoi gjithashtu se, pas koordinimit me Komunën e Butelit, janë regjistruar mbi 30 fëmijë nga Çairi, të cilët jetojnë në afërsi të shkollës dhe kanë vëlla ose motër që tashmë ndjek mësimin në “Penko”.
Sipas Sulejmanit, pas përfundimit të regjistrimit, katër paralelet kanë mesatarisht nga 25 nxënës, ndërsa organizimi është bërë në përputhje me ligjin dhe me kujdes për cilësinë e procesit edukativo-arsimor.
“Me regjistrimin e mbi 30 fëmijëve nga Çairi dhe organizimin e katër paraleleve me numër të balancuar nxënësish, çështja për të cilën ndërhyri Ministria është zgjidhur. Procesi mësimor zhvillohet normalisht”, theksoi zëvendësministri.
Më tutje Sulejmani apeloi që çdo paqartësi e ngjashme në të ardhmen të adresohet me kohë përmes komunikimit institucional, në mënyrë që nxënësit dhe familjet e tyre të mos përballen me situata të tilla.
Kjo deklaratë hasi në reagime nga këshilltarët komunal shqiptar të AKI-së në Butel. Armend Murseli dhe Linkest Lumani para gazetarëve thanë se kjo është një gënjeshtër nga zëvendësministri Sulejmani. Ata pretendojnë që iu është bërë një e padrejtë nxënësve shqiptarë të zonës së Çairit, të cilët edhe pse e kanë shkollën matanë rrugës, e cila graviton në Butel, nuk iu lejohet regjistrimi në shkollë.
“Zëvendësministër a e kuptoni se çfarë dëmi u keni shkaktuar nxënësve shqiptarë në Komunën e Butelit? A e kuptoni se me deklaratën që e dhatë ditë më parë, jo vetëm që nuk e mbrojtët interesin e nxënësve shqiptarë por u pozicionuat në një linjë me qëndrimet e kryetarit të Butelit Darko Kostovski. Por kjo nuk na habit pasi mbyllja e sotme e paraleleve siç tregon historia jo e largët e shqiptarëve e Maqedonisë e keni trashëgimi”, deklaroi Linkest Lumani, Këshilltar i AKI-së në Komunën e Butelit.










