Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Tregut të Kapitalit, Bujare Abazi, gjatë debatit mbikëqyrës në Kuvend, deklaroi se procedura për blerjen e “Stopanska Banka” të Manastirit nga Alta Banka e Beogradit është zhvilluar në përputhje me ligjin.
Sipas Abazit, blerësi kishte siguruar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm nga bankat qendrore dhe komisionet për mbrojtjen e konkurrencës të të dyja vendeve.
“Komisioni ynë shqyrtoi dokumentacionin dhe arriti në përfundimin se nuk kishte vërejtje. Ne morëm vendimin si anëtarë të Komisionit unanimisht”, deklaroi Abazi.
Ajo insistoi se gjatë gjithë procedurës për blerjen e 100 për qind të aksioneve të bankës nuk është konstatuar asnjë mangësi në dokumentacion apo shkelje ligjore.










