Abazoviq tregon personin që preferon për kryeministër nëse ai nuk do të jetë në krye të qeverisë së Malit të Zi

Kryeministri në mandatin teknik, Dritan Abazoviq tha se është i gatshëm të largohet tani nëse gjendet një kryeministër që do t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai tha se do të dëshironte ta shihte drejtoreshën e MANS-it, Vanja Çaloviq Markoviq në pozitën e mandatares.

“Duhet të shohim strukturën e plotë të qeverisë. E rrëzuan qeverinë pa plan, do të thotë kanë plan dhe nuk dinë ta zbatojnë”, tha Abazoviq.

Sipas tij, përfaqësuesit e GP URA pjesëmarrës në negociata kanë të gjitha kompetencat, raporton rtcg.

“Ne nuk mund të dalim nga kriza nëse dikush ka një marrëveshje me Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS), nëse dikush ka disa angazhime”, tha lideri i lëvizjes qytetare.

I pyetur nëse do të arrihet një marrëveshje nga shumica e vjetër parlamentare, Abazoviq tha se për momentin mekanizmi është në duart e presidentit të shtetit, Milo Gjukanoviq.

“Edhe nëse arrihet një marrëveshje, ai (Gjukanoviq) mund t’ia japë mandatin me kushtetutë dikujt tjetër. Ndoshta dikujt nga DPS, përfaqësues të kombeve pakicë, një kandidat të pavarur”, tha ai.

Ai tha se qytetarët duhet të vlerësojnë se kush do ta mbajë përgjegjësinë për dështimin e mundshëm të marrëveshjes.

“Kush është përgjegjës është e lehtë të zbulohet. Ata 50 që rrëzuan Qeverinë janë përgjegjës, sepse duhet të kishin hartuar fillimisht konceptin e qeverisë së re. Kjo do të ishte përgjegjëse”, beson Abazoviq.

Ai tha se nëse Gjukanoviq nuk i jep mandat askujt, zgjedhjet do të mbahen, “E komplikon situatën që nuk kemi një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese. Apeloj te deputetët që të zgjedhin Këshillin Gjyqësor dhe Gjykatën Kushtetuese”. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu