Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës mbahet më 9 shtator

Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari, ka njoftuar se e ka thirrur vazhdimin e seancës konstituive për datën 9 shtator nga ora 11:00, transmeton Anadolu.

“Si Kryesues i Seancës Konstitutive e kam parë si një lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00”, ka shkruar Dehari në rrjetet sociale.

Dehari ka thënë se deri atëherë pret që kjo marrëveshje të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese.

“Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor”, shtoi Dehari.

Afati kushtetues për konstituimin e Legjislaturës së 11-të të Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht, ndërsa seanca e fundit për këtë çështje është mbajtur një ditë më vonë dhe prej atëherë nuk është thirrur vazhdimi i saj.

Vetëvendosja dhe LDK-ja arritën marrëveshje që profesori universitar Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për president. Megjithatë, kundër marrëveshjes dolën gjashtë deputetë të LDK-së.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu