Abdixhiku: Jemi të vetmit që përpiqemi t’i shmangim zgjedhjet e reja

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, para seancës konstituive ka deklaruar se partia po përpiqet vazhdimisht për t’i shmangur zgjedhjet e reja, përcjell TV21. Para mediave, ai shtoi se në diskutimet me VV-në, po përpiqet që të përfaqësohen bindjet e LDK-së.

“Përderisa përpiqemi, takohemi, mbesim të vetmit që duam t’i shmangim zgjedhjet e reja. Të gjithë ata që na kritikojnë, s’e kuptojnë pse po takohemi, çfarë qëllimi kemi, besoj që na kërkojnë të shkojmë në zgjedhje të reja edhe një herë. Shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme edhe një herë, është dëmi më i madh që i bëhet Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

Abdixhiku, i cili është takuar tri herë me Kurtin në përpjekje për të arritur një marrëveshje tejet të nevojshme për formimin e institucioneve dhe përfundimin e krizës politike, tha se mes palëve ka ende dallime të mëdha për çështjen e presidentit.

“Ka shumë afrime në shumë çështje, por ende kemi distancë në çështjen kryesore, që është balanca demokratike. Kuvendi duhet të konstituohet sot, nuk ka arsye për të mos u konstituuar”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku tha se nuk dëshiron të flasë për emra individual për postin e presidentit, duke ngulur këmbë se partia e tij meriton postin.

“Ne kërkojmë balancë demokratike, e cila kërkon që LDK-ja të jetë e përfaqësuar. Nuk po flasim për emrat individësh, por për balanca demokratike që do të ishte e mirë edhe për Kosovën”, tha ai.

“Kemi edhe 25 ditë për formimin e Qeverisë. Nëse merremi vesh më herët për të gjitha institucionet, më mirë, nëse nuk merremi vesh, duhet të jemi transparent me ju dhe popullin se kaq kemi mundur dhe fatkeqësisht nuk mund të bëjmë më shumë. Përderisa po takohemi, është lajm i mirë”, shtoi ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu