Abdixhiku pranon Kuvendin e jashtëzakonshëm për shkarkimin e tij, ndërpret negociatat me Kurtin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas kërkesës për shkarkimin e tij nga drejtimi i partisë, duke bërë të ditur se pranon organizimin e një Kuvendi të jashtëzakonshëm për të vendosur mbi këtë çështje.

Përmes një video-adresimi, Abdixhiku deklaroi se ka autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm të LDK-së që të nisë përgatitjet për mbajtjen e Kuvendit të ri të jashtëzakonshëm. Ai konfirmoi se deri tani janë mbledhur 148 firma nga anëtarë të partisë që kërkojnë hapjen e këtij procesi.

Abdixhiku tha se, për shkak të kësaj situate brenda LDK-së, ka vendosur të ndërpresë menjëherë dialogun me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për krijimin e institucioneve të reja.

“Energjia duhet të fokusohet në forcimin e LDK-së”, u shpreh Abdixhiku, duke kritikuar nismëtarët e kërkesës për shkarkimin e tij dhe duke theksuar se debati i brendshëm në parti duhet të zhvillohet përmes mekanizmave demokratikë.

Kjo lëvizje e kreut të LDK-së vjen në një moment kur po zhvillohen përpjekje për formimin e institucioneve të reja në Kosovë, ndërsa zhvillimet e fundit brenda partisë pritet të ndikojnë në procesin politik.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu