Abrashi për barrikadat: Shfaqje e dështuar e Serbisë

Deputeti i LVV-së Artan Abrashi ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të vendit që lidhet me heqjen e barrikadave. “Ishte një shfaqje e dështuar e Serbisë që ta detyrojë Kosovën të zmbrapset nga shtrirja e sovranitetit në gjithë territorin. Ashtu siç i vendosën i larguan vetë barrikadat. Por ajo çka mbeti është përpjekje e institucioneve të Kosovës për ta kryer punën e tyre ashtu siç duhet”, deklaroi Abrashi në RTV Dukagjini.

“Ne nuk guxojmë të fantazojmë që një gjë e tillë mund të bëhet brenda ditës apo me një veprim policor. Kjo është përpjekje sistematike e organeve tonë të rendit për një proces afatgjatë”.

Abrashi thotë se strukturat kriminale në veri nuk e patën mbështetjen e popullit në atë pjesë të Kosovës.

“Ata po përpiqen që këtë dështim të tyre ta paraqesin si fitore të Serbisë”.

Deputeti i shumicës thotë se nuk ka pasur marrëveshje me Serbinë për largimin e barrikadave, derisa ka shprehur rezerva ndaj organeve të drejtësisë për lirimin e ish-policit të dyshuar për terrorizëm.

“Serbia kishte deklaruar se barrikadat nuk do të hiqen pa u bërë Asociacioni. Por Asociacioni nuk u bë dhe barrikadat u hoqën”.

Abrashi thotë se institucionet e sigurisë do të bëjnë përpjekje për identifikimin e personave që qëndruan në barrikada dhe do të zbatojë ligjin ndaj tyre.

“Ne nuk bëjmë negociata me krimin”, deklaroi ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu