Ahmeti: Opozita të mos tërhiqet nga dialogu për Ligjin për Prokurori Publike

Opozita nuk duhet të tërhiqet nga negociatat për PSP, tha sot kreu i BDI Ali Ahmeti, njofton Portalb.

Sipas tij, bisedimet midis qeverisë dhe opozitës mbi ligjin e ri për Prokurorinë Publike duhet të vazhdojnë, gjë që gjithashtu përcakton fatin e PSP-së.

“Kishim takime. I bëj thirrje opozitës që të mos tërhiqet nga dialogu dhe të bjerë dakord për të mirën e vendit”, tha Ahmeti.

Pas mosarritjes së marrëveshjes për Ligjin për Prokurori Publike dhe fatin e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dje paralajmëroi se bisedime për sigurimin e shumicës së nevojshme, do të zhvillohen në dy trajektore.

Përndryshe, edhe takimi i dytë që u realizua të premten mes grupeve të punës së VMRO-DPMNE-së dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), për Ligjin për Prokurori Publike dhe fatin e PSP-së, përfundoi pa marrëveshje. Pas kësaj, ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, paralajmëroi vazhdim të bisedimeve me deputetë dhe grupet e tjera parlamentare, në përpjekje për kapjen e 2/3-tave.

Kërkesat e Opozitës në detaje janë si vijojnë më poshtë:

Të zgjidhet prokuror publik, me propozim të opozitës.

PSP t’i mbarojë lëndët gjyqësore të dorëzuara deri më 30.06.2017 dhe të ndalojë ta kryejë funksionin, por edhe të formohet Komision Anketues në Kuvend, i cili do ta vlerësojë punën e PSP-së.

Të formohet sektor në kuadër të Prokurorisë për Krim të Organizuar me prokuror të ri special.

Kërkesat e opozitës janë në kundërshtim me qëndrimet e pushtetit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu