Emmanuel Macron është vënë në qendër të mediave franceze pas pretendimeve të publikuara në librin e gazetarit Florian Tardif, “Un couple (presque) parfait” (“Një çift (pothuajse) perfekt”).
Sipas autorit, presidenti francez dyshohet se kishte një marrëdhënie “platonike” me aktoren franko-iraniane Golshifteh Farahani, gjë që thuhet se shkaktoi tensione me bashkëshorten e tij Brigitte Macron.
Libri pretendon se Brigitte Macron kishte parë mesazhe në telefonin e presidentit, ku ai i shkruante aktores: “Je shumë të bukur”. Sipas gazetarit, debati mes çiftit dyshohet se lidhet edhe me videon e bërë virale gjatë një vizite zyrtare në Vietnam në pranverën e vitit 2025, ku Brigitte shihej duke shtyrë fytyrën e Macron sapo u hap dera e avionit.
Megjithatë, zyra dhe njerëz pranë Brigitte Macron i kanë mohuar kategorikisht këto pretendime. Për gazetën Le Figaro ata deklaruan se ajo “nuk kontrollon kurrë telefonin e bashkëshortit të saj” dhe se versioni i autorit nuk është i vërtetë.
Nga ana tjetër, Florian Tardif ka këmbëngulur se informacionet i janë konfirmuar nga persona të afërt me çiftin presidencial. Deri tani nuk ka prova publike që të vërtetojnë ekzistencën e një lidhjeje romantike mes Macron dhe Farahani, ndërsa Pallati Élysée nuk ka bërë koment zyrtar mbi akuzat.










