Pas zyrtarizimit të koalicionit mes LSDM-së dhe BESA, ku krerët e këtyre dy partive nënshkruan marrëveshje të shkruar për koalicion parazgjedhor dhe qeverisje të ardhshme, ka plasur paniku në partinë e Ahmetit.
Vetëm një orë pas zyrtarizimit të koalicionit, ka reaguar zëdhënësi i partisë, Bujar Osmani duke thirrur press konferencë, ku shiheshte frika e tij dhe partisë së tij nga ky koalicion.
Osmani me këtë rast deklaroi se: “Ne sot jemi të dëshpëruar për faktin që ata sot nuk arritën unifikimin e tyre për shkak të interesave të vogla personale dhe grupore dhe vendimet e tyre edhe më tepër e defaktorizojnë interesin shqiptarë .Ky ” sojuz” i njohur ndërmjet tyre ose kjo shkrirje e Besës në LSDM është në kundërshtim me interesat shqiptare për shkak se defaktorizon peshën e votës shqiptare por para së gjithash edhe rolin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Mekanizmit të Badenterit në mbrojtjen e interesave shqiptare.”- deklaroi Osmani.
Ndërkaq, vetëm një ditë pas marrëveshjes, ka reaguar edhe nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Izet Mexhiti, ku në konferencë për shtyp deklaroi se nuk mund të ketë qeveri në vend, pa fituesin e zgjedhjeve të bllokut shqiptarë, duke lënë të kuptohet se Bashkimi Demokratik për Integrim ka nisur veçmë të frikësohet nga krijimi i shumicës së re nga LSDM-ja dhe BESA, pa Bashkimin Demokratik për Integrim.










