Alarmi për sigurinë në Ballkan, vjen paralajmërimi: Kështu duhet të veprojë Perëndimi ndaj Vuçiqit

Lidhur me reagimet dhe kërcënimet e shumta që ka pasur Vuçiq dhe shteti i tij kundër Kosovës, duke filluar nga momenti i heqjes së reciprocitetit e deri te aksioni i fundit i policisë së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës dhe heshtja e Perëndimit ndaj tij, ka pasur reagime të shumta.

E eksperti i sigurisë, Lulzim Peci, ka thënë se mbyllja e syve të Perëndimit para “Botës Serbe”, do të bëjë që të vijnë ditë të errëta në Ballkan. Ai ka theksuar se në këtë mënyrë mund të jetë i domosdoshëm operacioni ushtarak.

Nëse nuk ndalet tani Serbia, perëndimi, në vend të integrimit të Ballkanit Perëndimor, do të detyrohet edhe një herë të mendojë për opsione ushtarake”, ka shkruar ai.

Ai shtoi se “Historia nuk përsëritet përherë, pasi njerëzimi do të kthehej vazhdimisht në pikën zero, mirëpo tani për tani jemi në rrugë që kjo të bëhet në Ballkan”.

Kush mund ta rrezikojë Serbinë?

E lidhur me këtë deklaratë të tij, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, në një prononcim, ka deklaruar se lidhur me çështjen e sigurisë së Kosovës, shqetësimet e individëve mund të preokupojnë çdo individ, si në këtë rast Lulzim Pecin.

Tërnava theksoi se Serbia tani është shtet jostabil, madje edhe në konflikt me shumë shtete.

Shqetësimet e individëve për çështjen e sigurisë të Kosovës, mund të jenë të tilla që e preokupojnë çdo individ dhe shumë të tjerë kur i dëgjojnë parashikimet e tyre, sikur në këtë rast te njohësit të sigurisë Lulzim Pecit, i cili paska thënë se nëse perëndimi i hesht Vuçiqit, ditë të errëta mund të vijnë në Ballkan, sikur që paska thënë se në këtë mënyrë mund të jetë i domosdoshëm operacioni ushtarak. Tani Serbia me politikat e saj është shteti më jo stabil në Evropë dhe në konflikt me shumë shtete përreth Ballkanit, prandaj të freskëta janë luftërat që i ka bërë që nga viti 1990 e deri më 1999, sa që OKB e miratoi rezolutën 1244 për intervenimin ushtarak ndaj saj, për hir që i duhej të intervenojë për shkaqe humanitare, për ta shpëtuar një popull të tërë nga shfarosja dhe gjenocidi që e kreu Serbia ndaj Kosovës”, tha ai.

Më tej, ai ka potencuar se rezoluta e miratuar nga OKB për intervenime ushtarake, është në fuqi ende, nëse Serbia tenton që mënyrë ushtarake ta sulmojë Kosovë.

Tërnava ka vlerësuar po ashtu se tani Kosova ka policinë dhe ushtrinë, andaj edhe mund t’i kundërvihet Serbisë.

Po ajo rezolutë është edhe më tutje në fuqi dhe nëse Serbia në të vërtetë tenton ushtarakisht tani ta sulmojë Kosovën, gjë që për territorin e saj është garantues KFOR dhe NATO, e kur dihet tani që Kosova më nuk është ajo që ishte në vitet e 90-ta, nën okupimin e sajë, por tani e ka ushtrinë dhe policinë e saj dhe tjera institucione që në mënyrë të organizuar dhe me luftë do t’i kundërvihen Serbisë dhe me një intervenim të shteteve që e bombarduan në vitin 1999, e që e detyruan ta nënshkruajë kapitullimin e saj me marrëveshjen e Kumanovës dhe nëse Vuçiqi po do ta përdor ushtrinë ndaj shtetit të Kosovës, ai duhet ta ketë të qartë sikur edhe e ka, atëherë edhe Serbia nuk do ta ketë të garantuar ekzistencën e saj si shtet, dhe mund edhe ta rrezikojë në tërësi Serbinë”, shtoi Tërnava.

Eksperti i sigurisë ka vlerësuar se Vuçiq e di mirë se çfarë mund t’i ndodhë shtetit të tij.

Sipas tij, Vuçiq po mundohet të qëndrojë gjatë në pushtet, deri sa ta ndajë veriun e Kosovës e t’ia bashkëngjit Serbisë, duke u munduar ta arrijë qëllimin për jetësimin e Asociacionit të Komunave serbe, e pastaj ta krijojë edhe një “Srpska Republikë”.

Këtë të vërtetë Vuçiqi e di mirë se çfarë mund t’i ndodhë shtetit të tij, por politikat ditore të tij tani para zgjedhjeve duhet ndryshe të kuptohen, e sidomos ai po angazhohet me këtë, që të qëndrojë sa më gjatë në pushtetin e shtetit të Serbisë si kryetar që është dhe me këto sjellje çfarë po i bën e që është në bisedime ndërkombëtare me Kosovën, nëse mund ta ndajë veriun e Kosovës dhe t’ia bashkëngjit Serbisë dhe me këtë do të lavdërohej se megjithatë ia arriti qëllimit, për të cilin është angazhuar nga bisedimet në fillim ose së paku t’ia arrijë qëllimit që ta jetësojë Asociacionin e Komunave Serbe në bisedime me Kosovë dhe tani ta krijojë një „Srpska Republikë“ në Kosovë, pasi edhe ashtu në vitin 2015 e kishin nënshkruar kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa dhe e kishte ratifikuar parlamenti i Kosovës”, theksoi ai.

Më tej, Tërnava ka deklaruar se në bisedimet e radhës Kosovë-Serbi, kërkohet që përfaqësuesit e Kosovës, të jenë me ato bisedime, ashtu siç po e tregojnë veten.

Madje, sipas tij, duhet të jemi mirënjohës ndaj shteteve fqinje, për çlirimin që na kanë ndihmuar.

“Por, për fat të mirë Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur si antikushtetues, ku pati 23 shkelje të neneve të Kushtetutës së Kosovës. Tani në bisedimet e radhës që do të zhvillohen mes Serbisë dhe Kosovës, kërkohet që përfaqësuesit e Kosovës, sikur që është Kryeministri dhe Kryetarja e Kosovës të janë ashtu stoik, sikur që po e tregojnë veten dhe me ato bisedime po e mahnitin edhe faktorin ndërkombëtar, se një Kosovë me atë përvojë të shkurtër si shtet që është, sa të aftë i ka përzgjedhur njerëzit e vetë që po e përfaqësojnë Kosovën. Prandaj, Kosova duhet të është mirënjohëse ndaj shteteve mike që na kanë ndihmuar të çlirohemi dhe t’i ndjekim gjithnjë politikat miqësore që ata na i japin, dhe t’iu qëndrojmë pranë tyre”, ka përfunduar Hajrullah Ternava.

“NATO e ka vrarë ëndrrën Serbe”

Ndërsa, analisti politik Islam Krasniqi, nuk beson në deklaratën e z.Pecit, pasi që sipas tij, mund të ketë tensione në Ballkan, për shkak të politikave serbe.

Krasniqi thekson se Serbia na kërcënon sepse Bashkësia Ndërkombëtare e ledhaton atë si fëmijë, andaj Perëndimi duhet t’i tregojë Serbisë kufijtë.

“Unë nuk besoj në deklaratën e z.Peci, pasi që tani vendet e rajonit janë pjesë e Aleancës Veri-atlantike, mund të ketë tensione në Ballkan si pasojë e politikave të mbrapshta të Serbisë, por Serbia akoma i vuan pasojat e sulmeve të NATO-s dhe se asnjëherë nuk guxon ta bie gjendjen deri në atë nivel sa që ka nevojë të jetë i domosdoshëm operacioni ushtarak. Bashkësia Ndërkombëtare e ka mësuar Serbinë ta ledhatojë dhe ta trajtojë si një fëmijë lazdran dhe për atë ajo na kërcënon, por NATO e ka vrarë atë ëndërr të regjimit të Serbisë dhe nuk do të ketë nevojë asnjëherë për ndërhyrjen ushtarake. Perëndimi duhet t’i tregojë Serbisë kufijtë e jo ta ledhatojë siç jemi mësuar deri tani, por t’i tërheq vërejtjen që të mos i kalojë kufijtë”, deklaroi Krasniqi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu