Albin Kurti: Pse mund të ketë luftë në Ballkan

Në një intervistë ekskluzive për Veçernji list të Kroacisë, kjo e fundit shkruan se kryeministri i Kosovës Albin Kurti foli hapur për situatën e përgjithshme në Kosovë dhe shprehu shqetësimin se Serbia po armatos fuqishëm ushtrinë e saj me pajisje që i merr nga Rusia dhe Kina dhe dëshiron që disi të vendoset në Ballkan si alternativë ndaj Perëndimit demokratik.

Albin Kurti nuk e përjashton mundësinë e një lufte në Kosovë, thekson kjo media, pasi në anën serbe të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka rreth 48 baza operative sulmuese, prej të cilave 28 janë ushtarake dhe 20 i përkasin xhandarmërisë.

Ai beson se do të ishte e papërgjegjshme të thuhet se nuk do të ketë kurrë konflikt, se nuk do të ketë më kurrë luftë, edhe referuar faktit se vitin e kaluar Serbia dhe Rusia kanë pasur 104 stërvitje dhe aktivitete të përbashkëta ushtarake, nga të cilat dy stërvitjet më të rëndësishme janë quajtur “Mburoja sllave” dhe “Vëllazëria sllave”.

Ndër të tjera, Kurti foli edhe pse kundërshton krijimin e një bashkësie të komunave serbe, duke theksuar se kjo do të ishte parathënie e krijimit të Republikës Srpska të re.

Ai posaçërisht ka theksuar se përderisa serbët vijojnë me ëndrrën e Kosovës pjesë të Serbisë, këto ëndrra do të kthehen në makth për Ballkanin, duke theksuar se në Ballkan nuk mund të ketë luftë pa Serbinë, por nuk mund të ketë paqe pa shqiptarë.

Sipas Kurtit, gjëja më e rrezikshme është se lidershipi i Serbisë konsideron se Rusia është nëna e Serbisë dhe thekson se për këtë arsye rrethanat në Ballkan janë të mbushura me rreziqe dhe frikë. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu