Kreu i BDI-së Ali Ahmeti në takim me përfaqësuesin e veçantë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Evropën Juglindore, Roberto Bateli si dhe bashkëpunëtoret e tij, ka folur për rëndësinë e përmbylljes së krizës politike në vend nëpërmjet mbajtjes së zgjedhjeve gjithëpërfshirëse, të besueshme dhe demokratike.
Ahmeti ka elaboruar mbi nevojën e rikthimit të agjendës Euro-Atlantike dhe reformuese nga ana e Qeverisë pas zgjedhjeve dhe theksoi që Bashkimi Demokratik për Integrim është partner i komunitetit ndërkombëtar në arritjen e qëllimit të përbashkët.
“Maqedonia ka nevojë për institucione stabile që do ti rreken reformave dhe do të punojnë në drejtim të zgjidhjes së emrit, integrimin e vendit në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian sepse vetëm kjo agjendë mundëson marrëdhënie të mira ndëretnike, mirëqenie dhe zhvillim ekonomik”, potencoi Ahmeti.
Roberto Bateli nënvizoi kontributin e liderit të BDI-së Ahmeti në arritjen e marrëveshjes politike dhe stabilizimin e situatës.