Ali Ahmeti mesazh Mickoskit: Unë ngrej vetëm ”telefona të kuq”, s’kam nevojë për emisarë

Gjatë një tubimi në Dibër, kreu I BDI-së Ali Ahmeti, I është përgjigjur Mickoskit, lidhur me pretendimet e tij, se po dërgohen emisarë për të negociuar me VMRO-DPMNE-në që BDI-ja të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme.

“Hristijan, unë kam hyrë në politikë si kryengritës dhe nuk dal puthadorë. Mua për 22 vjet më ka votuar populli” – tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ali Ahmeti zbuti retorikën duke i bërë thirrje Mickoskit që vendi të orientohet drejt vlerave evropiane.

“T`i harrojmë muzikat e së kaluarës. Një shtet i NATO-s ka përgjegjësi morale, shtetërore. Nuk bëhet hajgare me deklarata të tilla – Më paska çu Ali Ahmeti emisarë. Unë vetëm “telefon të kuq” ngrej, s`kam nevojë për emisarë” – tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ali Ahmeti edhe një herë u shpreh se UÇK-ja ka shpëtuar Maqedoninë nga ndarja dhe se oponentët politik nuk duhet të shqetësohen nga brohoritjet për UÇK-në. Madje, ai zbuloi prapaskena të vitit të trazuar 2001.

“Unë e kam patur në dorë propozimin e qeverisë së atëhershme për ndarjen e Maqedonisë dhe ky ka qenë momenti më i vështirë i imi për të marrë vendime. Nuk kam qenë udhëheqësi i një klubi, as nuk kam qenë udhëheqës dhe dirigjent artistik. 12.000 ushtarë kam patur” – tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ahmeti përmendi edhe retorikën e plasuar në opinion kundër Korridorit 8.

“Ai Korridor nuk ndërtohet në Shqipëri të Madhe, por ndërtohet në RMV. Por, çfarë faji kemi ne që ky Korridor lidh Prishtinën, Tiranën dhe Shkupin. Kështu lidhen rrugët, kështu lidhen kombet” – tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Nuk la anash edhe betejën anti-korrupsion, duke u bërë thirrje dy forcave kryesore politike maqedonase që të votojnë vettingun.

“Pse nuk bëhen të guximshëm edhe LSDM dhe VMRO. Qe katër vjet kemi propozuar ligj për vettingun. Mbi pastërtinë e figurave politike dhe ekzekutive. Duke filluar që nga unë e deri të funksionari më i vogël” – tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ai tha se në zgjedhjet e 8 majit votohet për integrim apo izolim, por u shpreh I bindur se Fronti Evropian do të jetë fitues i zgjedhjeve kurse populli do të vendos se kush do të jetë pjesë e Qeverisë. /tvklan.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu