
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka zbuluar se po mendon të tërhiqet nga politika aktive pas më shumë se dy dekadash në skenën politike.
Në një intervistë për RTV21, Ahmeti foli për të ardhmen e tij, por edhe për situatën në parti. Ai pranoi se pas 25 vitesh karrierë aktive politike, po mendon gjithnjë e më shumë për pensionim.
“Unë mendoj që kjo është çështje që e mendoj personalisht unë. Kur ngacmoj dikë nga bashkëdrejtuesve, bashkëudhëheqësve, thonë: jo-jo-jo, herët është kjo punë për ta menduar. Por unë e mendoj, unë mendoj sepse unë po bëj mbi 45 vjet veprimtari. Nuk është e lehtë jeta e të gjithë neve që kemi punuar kundër regjimit të Jugosllavisë, për këto ditë që i jetojmë sot. Nuk ka qenë e lehtë. Është jetë e frigoriferi, kaloriferi. Prej frigoriferi, nëse e fut trupin në kalorifer, sigurisht që i shkakton telashe organizmit. Jeta jonë e tillë është. Kështu që fundi i fundit, edhe ne duam si qytetarë të rëndomtë t’i përjetojmë ca gjëra, një lëvizje të lirë. Tani unë…shtëpi-seli, shtëpi-seli, aktivitete, kështu që kemi nevojë të jetojmë pak edhe si qytetarë të rëndomtë”, tha Ahmeti në Click të RTV21.
Megjithatë, ai shton se bashkëpartiakët e tij konsiderojnë se ende nuk është koha për tërheqjen e tij dhe se prania e tij në politikë mbetet e nevojshme.
Ahmeti iu referua edhe ndryshimeve kadrovike në BDI, duke theksuar se në strukturat drejtuese tashmë është zbatuar një freskim i konsiderueshëm. Sipas tij, më shumë se 83 për qind e udhëheqësisë përbëhet nga kuadro të reja dhe të rinj.
Kjo nuk është hera e parë që shfaqen zëra për tërheqjen e Ahmetit. Nuk është hera e parë që në opinion shfaqen spekulime për mundësinë e largimit të Ali Ahmetit nga politika./INA/









