Alternativa: Punimet në Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës janë sinonim i korrupsionit të BDI-së

Alternativa akuzon BDI-në për keqpërdorim të projektit për Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës, në të cilin sipas raportimeve të javores Fokus janë ndajë 36 milionë euro, ndërsa deri tani janë shpenzuar 21.7 milionë euro.
“Teatri dhe Biblioteka e Tetovës, respektivisht objekti i Bibliotekës dhe Teatrit të Tetovës, kishte filluar të ndërtohet që në vitin 2014, por assesi të përfundojë. Së fundmi, nga raportimet e mediave e mësuan të gjithë se pse po zvarritet kjo punë. BDI-ja e ka shndërruar këtë projekt në strofull të korrupsionit dhe të vjeljes së parave të qytetarëve.

Sipas raportimeve të javores Fokus, gjithsej 36 milionë euro janë ndarë për këtë projekt, ndërsa deri tani janë shpenzuar plot 21,7 milionë euro. Përkundër kësaj, Teatri dhe Biblioteka e Tetovës nuk është ndërtuar as edhe pas një dekade. Prandaj, këtu ka shumë punë për prokurorinë”, ka deklaruar Faton Fazliu nga Alternativa.
Alternativa gjithashtu përshëndet nismën e Prokurorisë për Përndjekjen e Krimit të Organizuar e cila ka filluar hetimet me këtë rast.

“Ne e përshëndesim hetimin e nisur nga Prokuroria për Përndjekjen e Krimit të Organizuar, e cila me kallëzim të Policisë Financiare ka filluar hetime për rastin dhe shpresojmë që hetimi të shkojë deri në fund dhe të gjithë ata që janë pasuruar në kurriz të këtij objekti e i lanë tetovarët pa bibliotekë e teatër të denjë për këtë qytet, të nxirren para drejtësisë. Hetimi duhet të tregojë se cilat kompani morën miliona në këtë projekt dhe çfarë lidhje kanë këto kompani me funksionarët e BDI-së”, deklaroi më tej Fazliu.

Ata që e kanë gojën plot Europë, në të vërtetë nuk kanë asgjë të përbashkët me Europën, tha mes tjerash Faton Fazliu, duke shtuar se BDI janë sinonim të krimit dhe korrupsionit.

” Ata, me kleptomaninë e paskrupullt, punojnë çdo ditë që të mos ndodhë integrimi në BE. Jo vetëm kaq, por kjo parti politike po dëmton rëndë interesin kombëtar, duke detyruar qindra mijëra shqiptarë ta braktisin Maqedoninë e Veriut dhe të emigrojnë, duke kërkuar mirëqenie, ndërsa – në anën tjetër – një grup i vogël njerëzish në BDI i shtojnë milionat”, deklaroi Fazliu.

Nga Alternativa theksojnë se BDI-ja po përpiqet të vjedh sa më shumë në këto 3 muaj, pasi e dinë se kjo rrugë përfundon me 8 maj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu