Ambicia e sinjalizuar e një miliarderi, Bloomberg: Unë mund ta mund Trump-in

Ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg po konsideron seriozisht hyrjen në garën për t’u përzgjedhur si kandidat presidencial nga radhët e demokratëve, në ballafaqimin e pritshëm me Trump në 2020-ën.

Bloomberg, miliarder dhe filantrop, i cili ka shërbyer si kryetar i bashkisë së Nju Jorkut për tre mandate, është skeptik që ndonjëri prej kandidatëve aktualë demokratë mund të mposhtë Trump-in në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

“Mike është gjithnjë e më i shqetësuar që kandidatët aktualë nuk janë të pozicionuar mirë për të mposhtur Trump-in”, tha zëdhënësi i tij, Howard Wolfson.

Nga 17 kandidatët demokratë deri më tani, katër qëndrojnë me shanset më të larta për të fituar nominimin – Senatorët Elizabeth Warren dhe Bernie Sanders, që përfaqësojnë krahun e majtë të partisë, dhe ish-zv/presidenti Joe Biden, si dhe kryetari i bashkisë së Indiana-s, Pete Buttigieg, ku që të dy përfaqësojnë krahun centrist.

“Nëse Mike vendos, ai do t’u ofronte demokratëve një zgjedhje të re, bazuar në një rekord unik të drejtimit të qytetit më të madh të Amerikës, ndërtimin e një karriere biznesi nga e para, dhe marrjen e disa prej sfidave më të vështira të Amerikës si një filantropist me ndikim”, tha Wolfson.

“Mike mund të udhëheqë luftën me Trump dhe ta fitojë atë”, shtoi ai.

Bloomberg kritikoi planin e Elisabeth Warren për të vendosur një taksë për korporatat, në mënyrë që programet që variojnë nga kujdesi shëndetësor universal deri te shkollimi falas i kolegjit, të mund të financohen.

Nëse ai hyn në garë, ai ka të ngjarë të konkurrojë me kandidatë si Biden dhe Buttigieg, si një alternative e moderuar për progresivizmin populist të Warren.

Por ka të ngjarë që duhet të përballet me reagimin e krahut liberal të partisë, i cili shqetësohet për ndikimin e tepërt të parave të korporatave në politikë dhe pabarazinë e të ardhurave në SHBA.

“Më shumë miliarderë që kërkojnë më shumë fuqi politike nuk është sigurisht ndryshimi që i duhet Amerikës”, tha menaxheri i fushatës së Sanders, Faiz Shakir.

Bloomberg, i renditur në vendin e tetë në listën e Forbes të amerikanëve më të pasur me rreth 53.4 miliardë dollarë, mund të financojë fushatën e tij duke e lejuar atë të përshpejtojë kandidaturën. Por prapëseprapë, atij i duhet kohë për të organizuar njerëzit e tij në terren.

77 vjeç, ai do të ishte kandidati i dytë më i vjetër demokrat pas Bernie Sanders, i cili është 78 vjeç. Biden është 76, dhe Ëarren është 70, ndërsa në anën republikane, Trump është 73 vjeç.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu