Nëpërmjet një komunikate, LDK-ja ka bërë të ditur se ambasadori amerikan Philip Kosnett, në takim me strukturat drejtuese të këtij subjekti ka kërkuar nga udhëheqësit politik krijimin sa më të shpejtë të Qeverisë dhe përmbushjen e mandatit të votuesve.
Ndërkaq kreu i LDK-së, Isa Mustafa, sipas komunikatës e ka njoftuar ambasadorin për rrjedhën e bisedimeve të deritanishme me Lëvizjen Vetëvendosje për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Ambasadori Kosnett nuk ka dhënë deklaratë për media pasi që ka përfunduar takimin në selinë e LDK-së. Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pas takimit me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett tha shkurt para mediave se zgjidhjen për formimin e institucioneve të vendit e japin nga Lëvizja Vetëvendosje. Mustafa nuk pranoi të komentoj më gjatë, as bisedën që pati me ambasadorin Kosnett, e as rrjedhën e ngjarjeve që pritet të ndodhin për sa i përket marrëveshjes për koalicion. “Zgjidhjen e japin ata, jo ne”, u shpreh shkurt lideri i LDK-së.










