Analisti Vujoviq: Qeveria po bën përpjekje për futjen e Malit të Zi në “botën serbe”

Në Mal të Zi vazhdojnë përplasjet ndërmjet Kryeministrit Zdravko Krivokapiq dhe një pjese të shumicës parlamentare me disponim pro-serb pas inicimit të shefit të ekzekutivit për shkarkimin e ministrit të Drejtësisë i cili vuri në pikëpyetje gjenocidin në Srebrenicë të shkaktuar nga forcat ushtarako-policore e paramilitare serbe, më 1995.

Në një intervistë për Televizionin Klan Maqedoni, Zlatko Vujoviq, profesor universitar dhe drejtues i Qendrës për Monitorim dhe Hulumtime, thotë se në këto zhvillime vërehet ndikimi i Beogradit zyrtar dhe i Kishës Ortodokse Serbe. Angazhimet e debatueshme të qeverisë së re Vujoviq i vë në funksion të përfshirjes së kësaj republike ish-jugosllave në projektin më të ri serb për ‘botën serbe’ që, sipas vëzhguesve, është zëvendësim i planit për ‘Serbinë e Madhe’.

Çfarë po ndodhë në fakt tek ju në Podgoricë? A po hy vendi në një krizë të re politike?

“Mali i Zi është në një krizë të thellë politike. Kjo krizë politike nuk ka fillur me ndërrimin e pushtetit. Ajo nisi disa vite më herët, sidomos gjatë vitit të fundit të Partisë Demokratike të Socialistëve kur shpërtheu konflikti i hapur mes pushtetit dhe Kishës Ortodokse Serbe, përkatësisht kjo ndodhi paralelisht me rritjen e fuqisë së presidentit serb Vuçiq dhe me rritjen e ambicieve të tij për të shtrirë ndikimin në rajon, kështu që në njëfarë mënyre u shfrytëzua forca e influencës së Kishës Ortodokse Serbe si instrument i veprimit në proceset politike në Mal të Zi.

Kjo u thellua pas ndërrimit të pushtetit për arsye se Qeveria e cila u formua, u krijua kryekëput me vullnetin e Kishës Ortodokse Serbe dhe të koalicionit të vogël opozitar ‘URA’ të tubuar rreth Dritan Abazoviqit. Kjo qeveri fillimisht mori njëfarë mbështetjeje të vendeve perendimore, para së gjithash për shkak se në këtë qeveri nuk hynë zyrtarisht përfaqësuesit e Fronit Demokratik, një koalicoon ky që është nën kontrollin e plotë të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, si dhe të koalicionit pro-serb të tubuar rreth Demokratëve.

Në këtë mënyrë, publikut iu prezantua se Mali i Zi fitoi një qeveri të ekspertëve. Në fakt, ajo nuk është as e ekspertëve e as politike, por është një qeveri e cila u krijua, në masë të madhe nga profesionistë me përvojë tejet të kufizuar profesionale që në fillim edhe mundën të thonë se Mali i Zi mbase mund të bëj diçka, por Qeveria shumë shpejt u tregua jo efikase dhe kjo jo vetëm për shkak të fajit të vet, por për arsye se nuk mori mbështetjen as të shumicës në pushtet e as të opozitës.

Ishte për t’u pritur të mos gëzojë përkrahjen e opozitës, por jo që sulmet më të furishme të vijnë, thënë kushtimisht, nga radhët e saj. Nga një ‘zjarr miqësor’, si të them, u cënua autoriteti dhe imazhi i Qeverisë në radhë të parë nga ana e Frontit Demokratik.

Nga ana tjetër, Qeveria është fjatore edhe për shkak se thelloi edhe më ndasitë në shoqërinë malazeze: Në vend se të përqëndrohet në zgjidhjen e çëshjes së pandemisë dhe të krizës ekonomike, ajo si synime të veta kryesore të veprimit, ndonëse jozyrtarisht, vendosi ndryshimet në Listën Zgjedhore – që do të lehtësohet marrja e shtetësisë malazeze, para së gjithash nga ana e shtetasve të Republikës së Serbisë dhe Republikës së Bosnjë e Hercegovinës.

Fjala është për njerëz të cilët posedojnë leje të përkohshme qëndrimi në Mal të Zi, kryesisht për arsye afariste: ose posedojnë firmë ose herë pas here vijnë për të ushtruar ndonjë veprimtari ekonomike. Qeveria përgatiti dhe më pas, për shkak të protestave hoqi dorë, një vendim që juridkisht të barazohet si kusht për fitimin e shtetësisë lejeqëndrimi i përkohshëm dhe i përhershëm.

Kjo domethënë se hy në atë afatin prej dhjetë vjetësh edhe dikush që, fjala vjen, ka pasur leje për qëndrim të përkohshëm, kurse tash është me rëndësi vetëm leja për qëndrim të përhershëm. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se jo më pak se dhjetë e mbase disa dhjetra mijëra persona shtetas të shteteve të tjera do të merrnin nënshtetësinë e Malit të Zi, ndërkohë që, nga ana tjetër, kanë inicuar procedurën e rregullimit të çështjes së vendqëndrimit, pasi një ndër parakushtet që dikush të mund të jetë zgjedhës në Mal të Zi është që të jetë shtetas dhe të ketë vendqëndrim të paktën dy vjet – është inicuar fshirja e atyre personave të cilët momentalisht nuk janë në Mal të Zi ose të cilët gjatë vitit që pason nuk dëshmojnë se jetojnë këtu.

Një veprim i këtillë, në masë të madhe ishte sipërfaqësor nga që në këtë mënyrë u orvatën të targetojnë edhe ata persona të cilët kanë lejeqëndrim të ligjshëm jashtë Malit të Zi. Gjithë kjo shkaktoi një konfuzion të madh. Shtroi si çështje ndërrimin e raportit të forcave të opsionit properendimor dhe proserb në Mal të Zi për disa dhjetra mijëra votues dhe, në instancë të fundit, kjo do të kishte për pasojë që të humbasë pa kthim shumica pro-perendimore në Mal të Zi.

Në këtë mënyrë Mali i Zi do të vëhej me trupin zgjedhor nën kontrollin e Beogradit zyrtar dhe pjesë e asaj që quhet ‘botë serbe’. Ishte ky një inxhinierig i rrezikshëm elektoral, epilogun e të cilit do të mund ta shohim në fund”- tha Vujoviq.

Pas paraqitjes së rastit të ministrit të Drejtësisë, Vladimir Leposaviq, njoftimet nga Podgorica flasin gjithnjë e më shumë për dallime konceptuale brenda për brenda qeverisë së re malazeze. Për çfarë flet kjo në të vërtetë?

“Nuk ka dallime në koncepte. Mendoj se ministri Leposaviq me sinqeritet tha se pasi kishte kontestuar gjenocidin në Srebrenicë ka marrë mbështetje nga të tre koalicionet në pushtet – të Frontit Demokratik, të Demokratëve dhe partisë “Ura” dhe këtë ai e tha shumë qartë.

Nuk pati përgënjeshtrime nga këto parti politike e as kërkesa për shkarkim, kështu që zoti Leposaviq mori postin Ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Malit të Zi pikërisht për shkak të këtyre qëndrimeve dhe mohimit të Srebrenicës si dhe sjelljes nacionaliste duke mohuar edhe çështje tjera. Pse? Për shkak se këto janë qëndrime të Kishës Ortodokse Serbe.

Ai është avokat i tyre. Avokat i tyre i emëruar Ministër i Drejtësisë për të përmbushuar realizimin e interesave të kësaj Kishe në Mal të Zi. Kur flasim për anëtarët tjerë të Qeverisë, numri dominant i tyre janë nacionalistë serbë. Keni aty disa përjashtime, por kur flasim për interesat e Serbisë, Kishës Ortodokse Serbe, aty kemi një qëndrim të unifikuar, nuk ka tone kundërshtuese dhe nëse ka pjesa dominuese janë serbë, por ka në qeveri prej tyre që nuk janë” – tha Vujoviq.

Këto ditë politikani shqiptar nga Mali i Zi, Mehmet Zenka, përfarësisht ka thënë, si vijon, po mundohem ta citoj, ‘Çubrilloviqi, Garashanini, Rankoviqi e Milosheviqi vazhdojnë të jetojnë dhe veprojnë në shembëlltyrën e qeverisë së apostujve të vetëshpallur’. Ku shpie kjo?

“E dini çka: Qëllimi i kësaj Qeverie është fshirja e diasporës shqiptare dhe boshnjake nga listat zgjedhore. Kjo do të thotë, jo vetëm fshirja nga lista zgjedhore, por të ndryshohet struktura kombëtare në regjistrimin e popullsisë. Caqe nuk janë vetëm ata që prononcohen me përkatësi kombëtare malazeze, por edhe ata që deklarohen me përkatësi kombëtare boshnjako-muslimane dhe shqiptare.

Qëllimi është që në Regjistrim të fitohen rezultate që do të flisnin se në mënyrë dramatike është ndryshuar struktura kombëtare e popullsisë dhe se serbët paraqesin shumicë absolute të popullsisë. Kjo do të realizohet në ashtu që një pjesë e qytetarëve do të fillojnë të deklarohen si serbë, por nga ana tjetër të zvogëlohet përqindja e pjesëtarëve të përkatësive të tjera etnike dhe kështu, nëse në mënyrë drastike nuk ndryshohen shifrat e serbëve, të fillojë në mënyrë intensive dhënia e shtetësisë serbe qytetarëve të Malit të Zi dhe me këtë mund të bëhen paralele me atë se cka është duke bërë Rusia në Donjeck dhe Luhansk, por përmes ndikimit politik të destabilizohet Malin e Zi – kjo padyshim se po.

Mes tjerash, edhe kjo është një nga mënyrat. Të tregohet se në zgjedhje kemi shumicën, por se në regjistrimin e popullsisë janë bërë ndryshime dramatike, se ka shumë pak shqiptarë, boshnjakë dhe malazezë në popullsinë e përgjithshme të Malit të Zi. Në këtë mënyrë, Serbia fiton legjitimitetin që ta vendos Malin e Zi në të ashtuquajturën ‘botë serbe’”- tha Vujoviq

Krejtësisht në fund, cilat janë parashikimet tuaja, çfarë ju pret gjatë një periudhe të afërt?

“Pritjet e mia janë se së shpejti Mali i Zi do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare: Vlerësoj se do të ishte shumë mirë për Malin e Zi – të zbatohet reforma zgjedhore konform një marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës dhe në bazë të legjislativës së reformuar zgjedhore, institucioneve të reformuara që merren me organizimin e zgjedhjeve – të mbahen zgjedhjet në të gjitha nivelet. Edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, zgjedhje lokale në të gjitha komunat, të mbahen brenda një dite.

Gjithashtu, edhe zgjedhje të jashtëzakonshme presidenciale. Mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, brenda një dite, do të ulte tensionet, nuk do t`u ekzpozoheshim fërkimeve dhe do të kishim një situatë të qëndrueshme ku të gjithë ata që do të zgjidheshin të merren me tema për standardin e qytetarëve e jo të merremi me çështje identitare që po shkaktojnë ndasi të thella në shoqërinë malazeze”- tha Vujoviq.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu