Angellov: Kryqi në Kodrën e Diellit është i sigurt, falënderoj bashkëqytetarët shqiptarë

Drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave dhe kryetari i “Dinjitetit”, Stojançe Angelov, në rrjetet sociale shkruan se në protestën e sotme në Tetovë kundër kryqit në Kodrën e Diellit, pothuajse askush nuk është paraqitur.

Ai shkruan se kryqi në Kodrën e Diellit është i sigurt falë qytetarëve shqiptarë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Faleminderit për bashkëqytetarët tanë shqiptarë që nuk e përkrahën shembjen e kryqit dhe në këtë mënyrë treguan respekt për ndjenjat tona fetare. Më e mira për vendin, më e mira për Maqedoninë, më e mira për maqedonasit, shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e tjerë do të ishte nëse në betejën e ardhshme politike nuk do të keqpërdoreshin ndjenjat fetare dhe marrëdhëniet ndëretnike”, shkruan ai.

Angelov i bën thirrje kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilal Kasami që të anulojë, siç thotë ai, vendimin provokues dhe të kundërligjshëm për heqjen e kryqit.

Në të njëjtën kohë, Dioqeza Tetovë-Gostivar e KPM-së-OA parashtroi ankesë kundër vendimit të inspektorit ndërtimor komunal për rrënimin e kryqit në manastirin e Shën Naum Ohrit në Kodrën e Diellit.

Sekretari i komunës, Darko Kocevski, mohoi përfshirjen, duke theksuar se as ai dhe as kryetari Kasami nuk kanë kompetencë të marrin vendime të tilla./Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu