Armatosja e Kosovës me raketat “Javelin” nervozon Serbinë, Vuçeviç flet pa rezerva, zbulon planet e afërta të Beogradit

Pas lajmit se SHBA do të dërgojë raketa antitank “Javelin” në Kosovë, reagimet nga pala serbe për armatosjen e Kosovës kanë qenë të shumta dhe të ashpra. Së fundmi ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç tha se është i shqetësuar për armatosjen e Prishtinës me raketa antitank Javelin sepse gjithçka që po marrin shqiptarët në Kosovë është rrezik për Serbinë.

“Në SHBA kanë përfunduar të gjitha procedurat, kanë miratuar blerjen e “shtizave” dhe kur shton atë që Turqia u ka dorëzuar më parë, SHBA, Gjermania, pak Kroacia, ndërsa britanikët punojnë me ta në stërvitje, rreziku shtohet. NATO nuk punon drejtpërdrejt në krijimin dhe forcimin e ushtrisë së Kosovës, por disa vende anëtare janë të përfshira drejtpërdrejt në të. Gjithçka që marrin shqiptarët në Kosovë është rrezik për Serbinë”, paralajmëroi Vuçeviç për TV Prva.

Ai thekson se të gjitha kritikat ndaj Serbisë për shkak të investimeve të mëdha për armatosjen e ushtrisë së saj, për shkak se vendi është i rrethuar nga anëtarët e NATO-s, janë të thjeshtuara dhe madje pjesë e një lufte psikologjike, që të mos na dekurajojnë dhe të bëjnë gjithçka të kotë. Ai tha se ushtria serbe nuk po përgatitet për luftë, por përkundrazi, për të ruajtur paqen.

“Ne duam të zbatojmë programin “Kërcim drejt së ardhmes” dhe për këtë na duhet paqe, jo luftë. Ushtria nuk do luftë, ajo është për të qenë garant i paqes dhe rojtar”, tha Vuçeviç.

Ministri tha se Serbia si shtet serioz po mendon se si do të jetë përgjigja për gjithçka që po bëhet në vendet tjera, në Kosovë për shkeljen e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke theksuar se edhe Kroacia po armatoset duke dërguar mjete të blinduara në Manastirin e Bardhë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu