Arrestimi i “bosit” të kriptomonedhave: Flet ish e dashura e turkut: Ishte djalë i mirë, nuk e prisja nga ai! Faruk Ozer përdorte 7 identitete të ndryshme

Arrestimi i Faruk Fatih Ozer në Shqipëri, mashtruesit turk me anë të investimeve në kriptovaluta, ka zbuluar një histori që mediat turke e quajnë si “bombë” për autoritetet vendase. Sipas mediave të huaja, ai ka mashtruar mbi 391 mijë qytetarë duke i bindur ata të investonin në kompaninë e tij e më pas duke i vjedhur të gjitha paratë.

Sëbashku me të, në Turqi janë arrestuar dhe 20 persona të tjerë të përfshirë në mashtrimin e Ozer, për të cilën prokuroria ka kërkuar dënimin me mbi 40 mijë vite burg në total.

Lidhur me arrestimin e Ozer, ka reaguar dhe ish e dashura e tij, Eslem Sena Nur. Në një prononcim për median turke Haber Turk, ajo është shprehur se Faruk Ozer ka qenë një djalë shumë i mirë dhe se nuk e priste një gjë të tillë nga ai.

“Ai ishte një djalë shumë i mirë, nuk e prisja këtë gjë prej tij. Ozer jetonte me familjen e tij në qytetin e Beykoz. Mua nuk më ka thënë asnjëherë asgjë për paratë e kriptomonedhave. Mbaj mend që më ka thënë se ka pasur një kompani jashtë shtetit, në Singapor. Ai ishte fëmijë e një familjeje të pasur. Ne u ndamë për shkak të xhelozisë” – mësohet të ketë thënë ish e dashura e Ozer.

Gjithashtu mediat turke raportojnë se i riu përdorte shumë identitete kur komunikonte me klientët si Burcu Esmersoy, Eda Ece, Ebru Şallı, Gökçe Bahadır, Mine Tugay dhe Özge Ulusoy. Ozer u arrestua mëngjesin e sotëm në Himarë të Shqipërisë, ndërsa u shoqëruan dhe dy persona të tjerë në polici, të cilët dyshohet se e kanë ndihmuar. Ndërkohë Turqia ka nisur procedurat për ekstradimin e Faruk Ozer.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu