As Gjermania nuk kryen punë: Kurti e Mustafa pa marrëveshje, kjo pozitë po rrezikon vendin të shkojë në zgjedhje

Pazaret politike për ndarjen e posteve ministrore dhe pozitës së presidentit në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë hasur në probleme të thella, më shumë se dy muaj nga përfundimi i zgjedhjeve akoma nuk kemi koalicion mes dy partive për të arritur formimin e qeverisë së re.

Dy liderët, Albin Kurti dhe Isa Mustafa deri tani janë takuar disa herë mes vete, e filluan në shtëpi, pastaj në hotele e seli të partive, por tani takimet po zhvillohen në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Takimet e dy liderëve nuk po sjellin rezultate pozitive për formimin e koalicionit qeverisës së ‘shpresës për qytetarët’ siç e quajnë dy partitë, por krejt çfarë është parë deri tani, problemi i vetëm mbeten ndarja e pushtetit.

Pozita e presidentit është pika e nxehtë e cila ka lënë dy partitë të bllokuara dhe duke mos arritur marrëveshjen, pozitë kjo që po kërkohet nga LDK’ja, pasi sipas tyre kjo i takon atyre.

Por, nga ana LVV nuk po pranojnë një gjë të tillë duke deklaruar se kjo pozitë nuk i takon LDK’së dhe për të do të flitet më 2021.

E nga LDK nuk po lëshojnë pe në qëndrimet e tyre dhe po thonë se pozita e presidentit ju takon atyre dhe më 2021 Kosova do ta ketë një president nga kjo parti.

Tani Kosova po rrezikon që të shkojë në zgjedhje të reja, kjo për shkak të pozitës së presidentit, madje edhe vet zyrtarët e LVV’së dhe LDK’së kanë thënë se mos arritja e koalicionit e dërgon vendin në zgjedhje të reja.

E gjithë kjo bllokadë u përcjellë nga presion i madh ndërkombëtar për formimin e qeverisë, madje nga Gjermania erdhën raportuesi për Kosovën në BE, Peter Beyer dhe Christian Schmidt, ku kërkuan formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re.

Jo vetëm dy anëtarë të Bundestagut gjerman, edhe zyra e BE’së në Kosovë, Ambasada Amerikane dhe ajo Britanike në Prishtinë kanë kërkuar që sa më parë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ta formojnë qeverinë e re.

Por, të gjitha këto hasën në vesh të shurdhër pasi LVV dhe LDK janë betonuar në qëndrimet e tyre për ndarjen e pushtetit dhe nuk ka ndryshim të pozicioneve.

Kujtojmë se Kryesia e Kuvendit ka bërë të ditur se mbledhja konstituive e Kuvendit që mbahet me 26 dhjetor, do të fillojë në ora 15:00.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu