As “Ilindeni” nuk i bën bashkë politikanët! Mickoski ceremoninë e quan cirk, reagon presidenti

Një pjesë e madhe e krerëve të partive politike nuk do ta nderojnë me prezencë Presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski, në manifestimin qendror për shënimin e “Ilindenit” në Krushevë.

“Delegacioni i VMRO-DPMNE nuk do të jetë pjesë e ceremonisë së cirkut të udhëhequr nga presidenti Pendarovski”, tha Mickoski.

Kështu e quajti organizimin kryetari i VMRO-DPMNE, ndërsa nesër në mënyrë tradicionale do të jetë në Tashmarunishtë ku në fjalim 10 minutash do të thotë gjithçka që ka për të thënë.

“Ndërsa sa i përket kësaj mënyre të re të festimit të improvizuar të festës më të madhe, kjo që sot ndodh është improvizim klasik dhe gjithçka që kam të them për këtë do ta them në fjalimin tim 10 minutash nesër në Tashmarunishtë”, shtoi Mickoski.

Nga villa Vodno menjëherë dolën me reagim të ashpër.

“Presidenti Pendarovski është shumë i befasuar nga cilësimi i Mickoskit, sipas së cilit, kremtimi i festës më të madhe maqedonase – Ilinden, në Krushevë, do të jetë “Ceremoni cirku”. Nuk mbahet mend, vitet e kaluara, që një politikan i ynë ka treguar mosrespektim aq të thellë ndaj heronjve më të mëdhenj, krijuesve dhe artistëve të popullit maqedonas dhe qytetarëve maqedonas”, thanë nga Presidenca.

Pendarovski ftoi liderët e të gjitha partive politike në Krushevë, por deri më tani vetëm lideri i BDI-së Ali Ahmeti e ka konfirmuar prezencën e tij. Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, është jashtë vendit dhe për këtë arsye nuk mund të marrë pjesë. Në suaza të ceremonisë qendrore, siç njoftoi Pendarovski, Nikolla Ristanovski do të mbajë fjalim me mesazhe për Ilindenin. Në ceremoni do të jenë ansambli për vallet dhe këngët popullore maqedonase “Tanec”, ansambli shqiptar i këngëve dhe valleve, Vllatko Stefanovski dhe orkestra ushtarake e Armatës.

“Nesër në “Meçkin Kamen” do t’i nderojmë pjesëtarët e Ilindenit që humbën jetën në mbrojtje të Republikës së Krushevës”, njoftoi Pendarovski.

Përndryshe, këtë vit për herë të parë në manifestimin e Ilindenit, Presidenti nuk do të mbajë fjalim, por do të ketë një video-fjalim të shkurtër prej dy minutash. Kremtimi i festës më të madhe nacionale këtë vit përkon me përvjetorë të rëndësishëm siç është 30 vjetori pavarësisë dhe 20 vjetori i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu