ASH: Antikorrupsioni të mos hesht për skandalin me Nazim Bushin

Aleanca për Shqiptarët kërkon veprim konkret nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për kallëzimin penal kundër zv. ministrit të Brendshëm, Nazim Bushi.

Kanë kaluar dy javë, thonë nga atje, që kur Aleanca për Shqiptarët ka dorëzuar te Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit kallëzim për dyshime për korrupsion kundër Nazim Bushit, Zëvendës-Ministër i Punëve të Brendshme.

“Deri më sot nga ky Komision nuk ka asnjë veprim konkret ose përgjigje ndaj kallëzimit, përveç konfirmimit përmes telefonit se i njëjti është pranuar.

Sot, Aleanca për Shqiptarët i kërkon publikisht Prokurorisë Publike që të hetojë skandalin e Zëvendës-Ministrit, Nazim Bushi, në lidhje me qëndrimin e tij në një hotel luksoz të Stambollit në muajin tetor 2020. Ky qëndrim kap vlerë prej dhjetëra mijëra euro, por që janë paguar nga persona të panjohur sipas zëvendës-ministrit, gjë që përbën një dhuratë të kundërligjshme sipas ligjeve në fuqi.

Dështimi i institucioneve kompetente për të hetuar këtë rast korruptiv forcon edhe më shumë konstatimet se në vendin tonë nuk ka drejtësi dhe se e njëjta është në shërbim të politikës dhe krimit të organizuar. Me mosveprim, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, fatkeqësisht po rreshtohet në një grup me gjykatat dhe prokuroritë e kapura”, thuhet në kumtesën e ASH-së.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu