ASH: BDI keqpërdor institucionet për punësime dhe fushatë

“Praktika për punësime para zgjedhjeve është bërë zakon i partive politike, që shfrytëzojnë pushtetin deri në ditën e fundit për blerje votash”, këtë shqetësim e ka shprehur sot Aleanca për Shqiptarët.

Kjo parti reagon ashpër ndaj keqshfrytëzimit të fuqisë punëtore dhe kërkoi nga organet kompetente respektivisht, Komisioni Antikorrupsion të ndërmarrë masat konkrete për parandalimin e këtij fenomeni. “Organet nuk duhet të qëndrojnë të heshtur në raste të tilla kur haptazi bëhet shkelje e ligjit.Kjo praktikë dëmton zgjedhjet e lira dhe demokratike, e mbi të gjitha dëmton edhe vetë qytetarët të cilët bëhen lojë e pushtetit. Qytetarët nuk duhet të bien pre e punësimeve të tilla, dhe të shesin votën e tyre për një vend pune. Punësimi është e drejtë e tyre që askush nuk mund ta mohojë, prandaj i njëjti nuk guxon të jetë bazë për përcaktimin e tyre politik”, thuhet në reagim. Aleanca për Shqiptarët theksoi se do të mundohet që me gjithë fuqitë e saja të parandalojë një gjë të tillë.

“Populli është ai që duhet të mbajë në duar pushtetin dhe jo e kundërta. Pushteti nuk guxon të mbajë në grusht popullin”, thuhet në reagimin e ASH-së.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu