ASH dhe VMRO zyrtarisht të hënën pritet t’i ndajnë rrugët

Aleanca për Shqiptarët të hënë pritet të vendos për shkëputjen zyrtare nga koalicioni me VMRO-DPMNE-në dhe Danella Arsovskan, duke dhënë dorëheqje nga çdo post që gëzojnë në kuadër të pushtetit lokal.

Burime të Alsat brenda ASH-së bëjnë të ditur se një qëndrim për dorëheqje do të merret njëzëri. Largimi i këshilltarit të ASH-së nga koalicioni në Qytetin e Shkupit nuk i rrezikon shumicën Danella Arsovskas dhe VMRO-DPMNE-së të cilët deri tani gëzonin shumicë prej 24 këshilltarësh nga 45 sa janë në përgjithësi.

Megjithatë, e paqartë mbetet situata në Komunë e Gostivarit. Nga 19 këshilltarë sa ka shumica në këtë komunë, largimi i katër këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së do të bënte që kreu i komunës, Arben Taravari të humbte shumicën pragu i të cilës është 16 këshilltarë.

Taravari ishte i pakapshëm për të komentuar nëse pas prishjes së koalicioni me VMRO DPMNE-në, planifikon shumicë me ndonjë subjekt tjetër i cili përfaqësohet në këshill. Vendimin e partisë së Ziadin Selës, VMRO-DPMNE-ja e vlerësoi si mundësi e humbur për të deligjitimuar BDI-në nga pushteti.

“Na vjen keq që Aleanca nuk e kuptoi mundësinë për ti deligjitimuar deri në fund politikat kriminale të BDI-së, por u hodh në skenarin e tyre për ruajtjen e pushtetit. Në këtë kontekst, Aleanca për Shqiptarët duhet të vendos se çfarë ka më shumë rëndësi për ta- të ndryshohet ky pushtet i cili po sjell jetë të keqe si për shqiptarët ashtu edhe për maqedonasit, apo të lejon që BDO të vazhdon të luaj me shqiptarët përmes lojës së tyre nacionaliste”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Përveç në Qytetin e Shkupit dhe në Gostivar, bashkëpunimi i partive opozitare nga dyja blloqet nuk do të reflekton në konfigurimet e këshillave komunal.

Në Kumanovë, Aleanca për Shqiptarët është në koalicion parësor më nismën e kreut të Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Ndërprerja e çdo bashkëpunimi mes VMRO-DPMNE-së dhe Aleancës për Shqiptarët erdhi pas vendimit të Danella Arsovskas për të shkarkuar Zudi Enuzin nga pozita e ushtruesit të detyrës drejtor në “Higjienën Komunale” të Shkupit vetëm për arsyen se është vëllai i personit i cili gjatë incidentit të 6 korrikut në Sheshin Skënderbeu përdori armë zjarri.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu