Avokati nga Kumanova: Flamurin na e ka ndaluar Ali Ahmeti me ligj

Avokati i njohur nga Kumanova, Besnik Sulejmani ka lëshuar në rrjetet sociale një sërë akuzash ndaj partise shqiptare në pushtet, ne lidhje me ngjarjet e fundit në Kumanove, ku u injorua flamuri shqiptar. Sipas Sulejmanit, duke u thirrur në ligjin e votuar në vitin 2011, ndalohet përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar në Kumanovë dhe komunat tjera ku shqiptarët nuk janë shumicë, përcjell in7.

“Të ndaluar përdorimin e flamurit para institucioneve lokale në Kumanovë e kemi nga Ali Ahmeti, dhuratë e sjellur me ligj në vitin 2011 e shpallur në Gazetën Zyrtare numër 100/2011 të datës 25.07.2011, në kundërshtim me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit” – shkruan avokati Sulejmani.

Ai sugjeron gazetarët që të pyesin krerët e BDI-së me në krye Ali Ahmetin, Nevzat Bejtën, Bujar Osmanin e Artan Grubin për këtë çeshtje, sepse sipas tij, këta të fundit duhet të përgjigjen dhe te japin llogari për këtë padrejtësi.

“Ata duhet të përgjigjen dhe të japin llogari, pse e tradhëtuan Kumanovën dhe e kanë mundësinë ta korrigjojnë këtë gabim të pafalshëm. Bazë kushtetuese ka, vetëm duhet të korrigjohet një padrejtësi” – ka shkruar avokati Sulejmani, përcjell in7.

Në Ligjin për përdorimin e flamujve të sjellë në vitin 2011, nuk u mor për bazë 20 përqindëshi siç përdoret për përdorimin e gjuhëve. Sipas këtij ligji, krahas flamurit shtetëror, në institucionet e pushtetit lokal mund te valojë edhe flamur i përkatësisë tjetër etnike e cila përbën shumicën prej 50 përqind + 1 person. Gjithashtu, flamuri i etnisë tjetër që përdoret krahë atij shtetëror, duhet te ketë përmasa më te vogla apo te paktën 30 përqind më i vogël se flamuri shtetëror. Më këtë ligj, në Kumanovë nuk mund të përdoret zyrtarisht flamuri kombëtar, ndërsa pak kilometra më tej, në Likovë mundet.

Përndryshe gjatë festës se përvjetorit të Komunës së Kumanovës, para objektit te kësaj komune valonin krahë flamurit shtetëror edhe flamujt e Sërbisë, Malit të Zi, Turqisë dhe Rumanisë, ndërsa ai shqiptar nuk ishte askund. Kjo qe shkak për reagim të opozitës në Kumanovë, ndërsa gjate ditës së djeshme, një grup qytetarësh shqiptarë nga ky qytet protestuan para objektit të komunës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu