Një avokat i njohur britanik ka treguar një fjalë të vetme që sipas tij, nuk duhet të thuhet kurrë kur ndalesh nga policia, sepse mund të ndikojë në mënyrë serioze në trajtimin e çështjes.
Avokati dhe ekspert i çështjeve penale, Nick Freeman – i njohur ndryshe si “Mr. Loophole”, për shkak të mënyrës se si arrin të gjejë boshllëqe ligjore për të shpëtuar klientët e tij – thotë se shumë njerëz bëjnë gabimin që përdorin fjalën “po” kur ndalohen nga policia.
Ai shpjegon se nëse një oficer policie ju pyet: “A e dini pse ju ndalova?” dhe ju përgjigjeni “Po”, kjo mund të përdoret si pranim fajësie. Për shembull, nëse thoni “Po, sepse po shpejtoja“, kjo është një deklaratë që mund të përdoret kundër jush në gjykatë.
Sipas Freeman, përgjigjja më e mirë është të mos thuash asgjë dhe të mos pranosh faj pa u këshilluar më parë me një avokat. Ai thekson: “Mos u ndjeni të detyruar të jepni përgjigje menjëherë – keni të drejtën të mos thoni asgjë, përveç emrit dhe adresës.”
Këshilla e tij është që të jeni të sjellshëm, por të kujdesshëm në çdo komunikim me policinë, në mënyrë që të mos dëmtoni veten pa dashje.