Bajrami: Ligji për financimin e partive, nuk lejon shpenzimin e parave të shtetit për koncerte

Analisti i njohur Bujar Bajrami ka komentuar koncertet që po mbahen këto ditë nga partia në pushtet BDI, shkruan InfoShqip.

“Ligji për financimin e partive politike nuk lejon shpenzimin e mjeteve buxhetore (të cilat ndahen nga shteti për partitë politike) për evente dhe çështje që nuk lidhen me funksionimin dhe organizimin e mbrendshëm të partisë.

Pra, paratë e shpenzuara për koncertin famoz që organizon BDI duhet të kenë ardhur nga kanale të tjera (legale ose ilegale) në formë donacionesh. Nëse është ashtu, atëherë duhet të shihet se kush janë ata oligarkë që donojnë shuma të majme me para, për festën e një partie politike dhe cilat janë lidhjet e tyre me po të njëjtën.

Përderisa për një festë absurde jepen qindra mijëra euro të cilave nuk u dihet burimi, besoj se e kuptoni se sa para hidhen për të mbajtur pushtetin të cilin e kanë shëndrruar në mekanizmin kryesor për të përmbushur interesat personale.

Sot, BDI nuk do të duheshte të festojë përvjetorin e ekzistencës së vetë, por duhej të organizonte një event ‘përkujtimor’ për të gjithë ata shqiptarë që frymojnë të vdekur rrugëve të evropës, e për të gjithë ata shqiptarë të tjerë që çdo ditë përballen me vdekjen nga mungesa e bukës së gojës.

Ky koncert do të mbahet mend si koncerti i turpit, që tall në mënyrë poshtëruese secilin që në mbrëmje nuk ka çka të shtrojë në sofër dhe mundohet të presë rradhë nëpër ambasadat e huaja për tu larguar nga ky vend i kontaminuar deri në palcë nga hajdutët e politikës.”-shkruan Bujar Bajrami/News33.tv/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu