Balada mesjetare antiturke dhe mesazhi i një vizite

Nga: Redi Shehu

Zhvillimet e fundit në gjeopolitikat botërore kanë sjellë domosdoshmërisht edhe një ndryshim në zhvillimet politike në Ballkan. Balancat e fuqive të mëdha, që me presidencën Trump kanë filluar të lëkunden drejt rikonfigurimeve të reja dhe të papritura.

Qasja e Bashkimit Evropian në lidhje me Ballkanin, edhe pse në këtë mjedis të ri të balancimit të fuqive, duket sa ka ngelur e ngurtë dhe peng i disa skemave të vjetra tashmë.

Shqipëria, si pjesë e vendeve të rajonit, të cilat ndodhen në kordonin mes fuqive të ndryshme të Perëndimit dhe Lindjes, po ashtu duhet të adaptohet me ndryshimet e fundit duke aplikuar formulën e fleksibilitetit të qëndrimeve të saja për të mos humbur prirjen e zhvillimit dhe fuqizimit të vet në të ardhmen e afërt.

Pikërisht, në këtë frymë ishte edhe vizita e z.Rama në Turqi e cila u shoqërua me një pritje madhështore të padëgjuar më parë për përfaqësuesit e një vendi të vogël dhe periferik si ky i yni. Një pritje, e cila i bëhet vetëm atij për të cilin ke një konsideratë të veçantë. Ne, për hir të së vërtetës, jemi mësuar, kur bëhet fjalë për ceremonitë zyrtare diplomatike, të shohim refuzime apo edhe pritje të tipit të koridoreve apo zgëqeve të kancelerive të ndryshme në botë. Por, pritja e z. Rama në Ankara i kalonte pritshmëritë e secilit. Ajo ishte një mesazh drejtuar gjithë popullit shqiptar, për respektin që ai gëzon në mendjen dhe shpirtin e popullit turk.

Por, në një keqvendosje logjike, dhe me një tis folklorik veshur me mantelin mesjetar, ballina e analistëve mediatikë shqiptarë, shpejtuan si me komandë të zhvlerësonin sa të mundnin madhështinë dhe mbresën që kjo vizitë la në përceptimin e audiencave të pamësuara shqiptare.

Menjëherë u vu në lëvizje mekanizmi i vjetër i konfliktit kulturor, i cili i nxjerrë nga historia e histerisë, plot ndryshk dhe kërcëllitje, filloi të godiste me topa prej lecke thelbin e kësaj vizite. Që nga halli se kryeministri ynë përshëndeti gjoja duke iu përkulur ushtarëve osmanë, dhe deri tek fyerja që presidenti turk i paska bërë identitetit shqiptar, treguan se kjo vizitë, fort na paska trazuar mendjet e atyre që e duan dhe vazhdimisht e mirëmbajnë konfliktin. Këtë, përmes hapjes së hendeqeve kulturore sa më të mëdha me një vend mik si Turqia, hendeqe që duhen vazhdimish të thellohen për të pamundësuar çfarëdo lloj ngjizjeje apo simpatie mes nesh dhe atyre. Ajo që nuk të habit, lidhur me takimin Erdogan-Rama, është se tezat e kundërshtarëve të këtij takimi, nuk ndryshojnë aspak me ato të mediave greke e serbe.

Të përshëndesësh ushtarët gjermanë në një ceremoni zyrtare në Berlin nuk të thotë kush se po i përulesh nazistëve. Të përshëndesësh ushtarët italianë në Romë, nuk të thonë se po i nënshtrohesh fashistëve. Të qëndrosh përballë ushtarëve grekë në Athinë nuk të thonë se je vasal i Greqisë. Ama, të përshëndesësh ushtarët turq në Ankara, atëhere po, ke fyer popullin dhe identitetin shqiptar duke iu përulur osmanëve. Mesjeta duket se nuk ikën as me forcë nga kokat e disave që duan përplasje.

Thonë po na çojnë drejt Lindjes, se rruga jonë është Evropa, por nuk duan ta përmendin faktin se Stambolli u shpall nga BE “Kryeqyteti evropian i Kulturës” në 2010. Thonë s’kemi asgjë me Turqinë, por e kemi me ata që lidhin marrëveshje me të, duke harruar qëllimisht se Turqia është partneri kryesor i BE-së në pothuaj gjitha fushat. Sot, mund të kesh ambicie territoriale ndaj Shqipërisë, mundet edhe të kesh ligj lufte me të, po përsëri je aleat dhe patner strategjik. Kurse Turqia, jo kurrë!

Nëse vende të tjera të japin hua me kamatë jo të vogël, quhet ndihmë historike, ndërsa nëse Turqia të fal 520 banesa, spitale, universitete, objekte kulti dhe lobon që të marrësh 1.1 miliardë ndihma tërmeti, atëhere ndodhesh nën pushtimin osman. Halli i atyre që u errësohen sytë nga mllefi nuk zgjidhet dot as me arsye. Koha, kur për miqtë të thonë se janë armiq, dhe se për fqinjtë armiq të thonë se janë miq, duhet të marrë fund. Duhet marrë fund edhe investimi në industrinë e frikës, e cila si një baladë mesjetare që orkestrohet në perfeksion veçanërisht dhe posaçërisht në rastin e Turqisë, përpiqet të prodhojë një ambient ankthi dhe trembejeje nga kthinat e manipuluara të historisë që thirrin në kauzë mite të rreme.

Vizita e z. Rama në Ankara, nuk është thjesht një vizitë e radhës, ajo nuk ishte një galeri buzëqeshjesh hipokrite të pabereqet që rëndom praktikohen në kanceleritë e ndryshme. Ajo ishte një qasje e re me të cilin Shqipëria përfundimisht del nga metodologjia e vjetër e një rruge të vetme. Të gjithë e dimë historinë moderne te politikës tonë, e cila qe projektuar si rruga e vetme që duhet ndjekur, herë në Rilindje e herë në komunizëm. Shqipëria vinte në demokraci me kulturën e njëanshmërisë në marrëdhëniet gjeopolitike, dhe e vazhdoi këtë mënyrë duke bllokuar çdo tentativë për të hapur horizonte të reja në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo, e pati bëri Shqipërinë shumë të parashikueshme dhe tepër vulnerabël karshi Evropës dhe vendeve të tjera të Perëndimit, të cilat për hir të së vërtetës e trajtuan Shqipërinë në këto dekada të tranzicionit, si një ish-koloni të tyren.

Vizita e fundit në Turqi e z.Rama, jo vetëm që sjell një frymëmarrje të re në gjeopolitikën moderne, por, detyrimisht do të përmirësojë marrëdhëniet tona edhe me BE në proçeset integruese, ngase Shqipëria tashmë do të shihet si një vend konkurues në tablonë poltike të rajonit, gjë që tërheq kërshërinë dhe interesat evropiane ndaj saj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu