“Ballkani i Hapur”, çka do të nënshkruhet sot?

Samiti “Ballkani i Hapur” filloi dje në Ohër me fjalimet zyrtare të kryeministrave të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, Shqipërisë, Edi Rama, Malit të Zi, Dritan Abazoviç, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe kryetarit të Këshillit të Ministrave të Bosnës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija.

Në “Ballkanin e Hapur”, sipas njoftimit nga shërbimi i shtypit qeveritar, fjalim do të ketë sot edhe komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhei, ndërsa përmes videomesazhit do të flasë edhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar.

Liderët e vendeve pjesëmarrëse në samit pritet të nënshkruajnë një marrëveshje për bashkëpunim dhe njohje reciproke të diplomave dhe gradave shkencore të lëshuara në institucionet e arsimit të lartë dhe institucione të tjera të autorizuara, si dhe memorandume mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e turizmit, kulturës dhe administrimit tatimor.

Pas fjalimeve zyrtare do të mbahen sesione panelesh për turizmin dhe kulturën.

Në samit do të mbajë fjalim edhe zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike dhe Koordinimin Ekonomik Fatmir Bytyqi, i cili së bashku me Ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ministren e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë Mirela Kumbaro dhe ministren për Tregti, Turizëm dhe Telekomunikacioni të Serbisë, Tatjana Matiq, do të diskutojnë për përfitimet e iniciativës dhe masat që do të ndërmerren për zhvillimin e turizmit në nivel rajonal.

Të pranishëm do të jenë përfaqësues të komunitetit të biznesit nga vendi dhe rajoni dhe kryetarët e odave ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë.

Liderët kanë pasur mbrëmë një darkë jozyrtare, ku kanë diskutuar për sfidat aktuale ekonomike dhe mundësitë që ofron bashkëpunimi rajonal në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu