Banorët e zonave të përmbytura rrezikohen nga epidemitë (VIDEO)

Shfaqen shenjat e para të infeksioneve tek banorët e zonave të përmbytura, Hasanbeg dhe Stajkovcë. Banorët e anketuar nga ALSAT M thonë se me rritjen e temperaturave janë shfaqur gjithashtu edhe shumë insekte të ndryshme.

“Kanë filluar disa insekte të shfaqen, milingonat, buburrecat nga uji nga dheu dalin, ka edhe disa insekte. Ne nuk flemë këtu, gjendemi si mundemi, në mëngjes vijmë këtu të pastrojmë”.

“Këtu është katastrofë e madhe, të mos mund të reagojë shteti, se di nuk mund të flas. Fëmijët e djalit i pata në spital dhe u pastruan, se nisën që të ju dalin disa puçrra meqë ata si fëmijë hynin nëpër baltë”.

“Erë e keqe vjen shumë. Shiheni baltën si është shtëpia është mbushur me erë nuk mund të flejë, katastrofë. Kanë nisë mushkonjat. Në këtë anë nuk ka as ambulantë as asgjë, në këtë lagjen këtu asgjë nuk ka, nuk vjen askush të na viziton”.

Besir Murtezani, mjek i përgjithshëm i cili në ambulancën private në Hasanbeg 24 orë në ditë u del në ndihmë banorëve thotë se rreziku nga paraqitja e epidemive vjen pas rritjes së temperaturave. Ai thotë se ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë furnizim me materiale por deri më tani nuk kanë siguruar asgjë. Ai madje shprehet i revoltuar se kapacitetet për ndihmë mjekësore në fshatin Stajkovcë janë shumë më të mëdha se në Hasanbeg.

“Dy ditët e para kishte një fluks të madh pacientësh dhe ne I shfrytëzuam të gjitha rezervat , ndërsa ditën e djeshme nuk kishim furnizim të materialeve. Në fshatin Stajkovcë janë pozicionuar Ndihma e Shpejtë ku bëjnë kontrolle ambulatore, triazhe dhe në pjesën 1,5 km larg këtij vendi mund të ketë ndonjë ndihmë të shpejtë mirëpo mu në qendër të Hasanbegut ku është fluksi më i madh i banorëve jemi ordinance e vetme”, deklaroi Besir Murtezani, Mjek i Përgjithshëm.

Ndërhyrjet me të shpeshta sipas Murtezani kanë qenë lidhja e plagëve, dezinfektimi, dhënia e terapive për të sëmurët kronik dhe trajtimi i pacientëve me hipertension.

 


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu