Bartomeu: Nuk mund ta lejoja largimin e futbollistit më të mirë në botë, Messi duhet të pensionohet te Barca

Josep Maria Bartomeu ka thënë se nuk është i interesuar që të vazhdojë zënkën publike me Lionel Messin, përkundër kritikave të kapitenit të Barcelonës lidhur me presidencën e tij.

Superylli argjentinas e shokoi botën e futbollit në muajin e kaluar kur e njoftoi klubin se dëshiron të largohet duke aktivizuar klauzolën që e lejon të largohet si futbollist i lirë.

Megjithatë, asaj klauzole i kishte skaduar data, ashtu që 33-vjeçari vendosi të qëndronte në Kataluni duke mos dashur të nisë një betejë ligjore me Blaugranët.

Porse, ai vazhdoi të drejtonte kritika ndaj Bartomeut dhe në një intervistë për Goal e kritikoi presidentin se i mungonte projekti afatgjatë për klubin.

“Si president, nuk do të hyj në asnjë konflikt me Messin. Messi është kapiteni ynë, lideri jonë. Çështja është lënë. Ajo që është thënë, është thënë”.

“Nuk mund ta lejoja futbollistin më të mirë në botë që të largohej. Skuadra ka nevojë për të, ai garanton sukses. Gjërat duhet të diskutohen në shtëpi. Duhet mbështetur skuadra dhe lojtarët”.

“Duhet ta urojmë veten që Messi është akoma me ne. Ai është i kënaqur me projektin e (trajnerit Ronald) Koeman. E rëndësishmja është se ai luan për Barcelonën, në shtëpinë e tij. Duam që ai të pensionohet te ky klub”, ka deklaruar Bartomeu për TV3.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu