Basha: Djegim mandatet e dala nga vota e krimit, duam qeveri tranzitore

Kreu demokrat, Lulzim Basha deklaroi se grupi parlamentar i PD vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të PD.

Në një dalje për mediat, pas mbledhjes së grupit, Basha tha se grupi parlamentar mbështet zgjidhjen e ofruar nga opozita e bashkuar për krijimin e një qeverie tranzitore.

Sipas kreut demokrat, vendimi për djegien e mandateve erdhi pas situatës së vështirë në të cilën ndodhet vendi.

“Në përfundim të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ju njoftoj për vendimin që grupi mori me votë unanime. Duke patur parasysh gjendjen e emergjencës kombëtare, ku ndodhet vendi: Për shkak të kapjes së kësaj qeverie në flagrancë duke vjedhur votat e qytetarëve shqiptarë, siç dëshmojnë edhe dosjet gjyqësore të publikuara nga mediat ndërkombëtare; Për shkak të kapjes së kësaj qeverie në afera flagrante korruptive dhe kriminale; Të eliminimit të parlamentit si një forum i demokracisë; Të eliminimit të Gjykatës Kushtetuese; Të kapjes totale të sistemit të drejtësisë; Të paralizës së shtetit, shtypjes sistematike dhe dhunimit të të drejtave themelore të njeriut dhe lirive të shqiptarëve duke përfshirë të drejtën e jetës, shëndetit dhe pronës; Duke shkaktuar një situatë të paprecedentë të krizës ekonomike, të emigracionit masiv kombëtar dhe gjendjes katastrofale të mjerimit social; Duke mbështetur plotësisht zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare; Vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të Partisë Demokratike në Kuvendin e dalë me votat e krimit dhe mafias në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike autorizoi Kryetarin e Partisë të ndjekë hapat e mëtejshëm në përputhje me statutin e Partisë Demokratike të Shqipërisë.”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu